Pas thirrjes nga Franca, Gjermania e Polonia që të bëhet progres drejt heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës, një tjetër sinjal për liberalizim ka ardhur nga Suedia. Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlundin, ka përmendur tetorin si afat kur kjo çështje do të rishikohet.
Westerlund ka thënë të premten se diskutimet për liberalizim po bëhen brenda të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai ka thënë se për shkak të ndryshimeve në ekzekutivin suedez duhet të pritet për disa javë për qëndrimin e këtij shteti.
“Vetëm për katër javë në këtë vend mund të them sa e vështirë është kjo situatë për qytetarët e Kosovës. Kam takuar para disa ditësh sportistë, udhëheqës sportivë, të cilët nuk mund të udhëtojnë jashtë, nuk mund të marrin pjesë në turne, nuk mund t’i sjellin studentët e tyre jashtë për shkak të kësaj çështjeje. Kështu që, kjo është diçka të cilën duhet trajtuar. Ka diskutime që po vazhdojnë lidhur me këtë në Bruksel, brenda të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian. E ndiej se ka një momentum të vrullshëm për këtë çështje. Por, duhet ta dini po ashtu se ne kemi pasur zgjedhje vetëm para disa ditësh. Qeveria është dorëhequr dhe kryetari i Kuvendit do ta mandatojë formimin e qeverisë së re, pra ende nuk kemi një qëndrim për këtë. Kështu që duhet të presim edhe për disa javë, por, siç e thashë, kjo është një diçka që duhet të trajtohet dhe është një momentum i përshtatshëm rreth kësaj çështjeje në Bruksel”, ka thënë ai në Interaktiv.
Ai ka paralajmëruar se në mes të tetorit do të ketë një rishikim të situatës, pasi që për Kosovën qe konfirmuar përmbushja e kritereve për liberalizim.
“Mendoj se të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me vizat janë çështje e komplikuar, po ashtu edhe shumë teknike. Ekziston një grup në Bruksel i quajtur Komiteti Plus. Ata duhet të futen brenda të gjitha detajeve dhe ka një rishikim, i cili do të vijë në javët e ardhshme. Pra, një rishikim i situatës, duke u kthyer prapa tek vendimi i vitit 2018 i Komisionit Evropian, pra kjo po rishikohet tani. Kështu që, le të shohim se çfarë përfundimesh do të nxjerrë ky rishikim dhe pastaj çfarë diskutimesh do të kemi nga mesi i tetorit në Bruksel”, ka deklaruar ai i pyetur nëse do të mund të kërkohet ndonjë kirter shtesë që Kosova ta përmbushë për të marrë liberalizimin e vizave.
Të premten gjatë ditës, progresi në liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës zuri vend në deklaratën e përbashkët të ministrave të tri vendeve të grupit “Trekëndëshi i Vaimarit”, përkatësisht Francës, Gjermanisë dhe Polonisë. Në këtë deklaratë është konfirmuar mbështetja për rrugën evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nevoja e përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi.