Rritet numri i vdekjeve në Gaza, OKB-ja paralajmëron për luftë

Rritet numri i vdekjeve në Gaza, OKB-ja paralajmëron për luftë

Sulme të reja ajrore e raketa janë hedhur mes Izraelit dhe palestinezëve në orët e para të së mërkurës, me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme që ka paralajmëruar se “jemi duke përshkallëzuar drejt një lufte në shkallë të plotë”.

Numri i vdekjeve që kur kanë nisur bombardimet të hënën është rritur në 40, me 35 të vdekur në Gaza dhe pesë në Izrael, me Izraelin që kryente sulmet në Gaza dhe grupet palestineze që kryenin të njëjtat në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit.

Ky ka qenë shpërthimi më i madh i dhunës që nga lufta e 2014-s mes Izraelit dhe “Hamasit”. Izraeli ka thënë se militantët kanë gjuajtur më shumë se 1000 raketa në total.

Më herët, ministri i Brendshëm, Benny Gantz, ka paralajmëruar se “ky është vetëm fillimi”. Lideri i “Hamasit”, Ismail Haniyeh u kundërpërgjigj se “nëse Izraeli dëshiron përshkallëzim, jemi të gatshëm”.

I dërguari i OKB-së, Tor Wennesland, ka thënë liderët e të dy palëve “duhet të marrin përgjegjësinë e qetësimit”, pas konfrontimeve të ashpra dhe pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, premtoi intensifikim sulmesh në Gaza.

“Kosto e luftës në Gaza është shkatërruese dhe po paguhet nga njerëzit e thjeshtë. Ndaluni menjëherë. Jemi duke përshkallëzuar drejt një lufte në shkallë të plotë”, ka paralajmëruar ai.

Përleshjet mes dy palëve kanë nisur që disa ditë pasi tensionet janë rritur në lidhje me dëbimin e mundshëm të palestinezëve nga toka e pretenduar nga kolonët hebrenj.

Vetëm të premten, qindra palestinezë e dhjetëra policë izraelitë mbetën të plagosur në xhaminë Al-Aqsa në kohën kur mijëra njerëz ishin mbledhur atje për të marrë pjesë në xhumanë e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Xhamia Al-Aqsa në Jerusalem është njëra prej lokacione më të nderuara të Islamit por është po ashtu një vend i shenjtë për izraelitët, e njohur si Mali i Tempullit.

Izraeli dhe “Hamasi” kanë zhvilluar deri më tani tri luftëra, të cilat kryesisht janë cilësuar si dështime të të dyja palëve. Pavarësisht kësaj, “Hamasi” është ende në pushtet dhe Izraeli vazhdon që t’i zgjerojë kolonitë hebraike dhe t’i shtypë të drejtat e palestinezëve me bllokada.

Related Articles