Osmani: Për Kosovën është më rëndësi ta thellojë partneritetin me Organizatën e Shteteve Islamike

Osmani: Për Kosovën është më rëndësi ta thellojë partneritetin me Organizatën e Shteteve Islamike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdim të vizitës në New York, e shoqëruar nga zv.kryeministrja Donika Gërvalla – Schwarz, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Islamike, Hissein Brahim Taha.

Sipas njoftimit nga Presidenca, presidentja Osmani ka falënderuar sekretarin Taha për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës nga shpallja e pavarësisë e më tutje.

Në veçanti, e falënderoi për Rezolutën që së fundi është miratuar nga OIC-u, me të cilën është bërë thirrje që të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate ta njohin Kosovën.

Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën është më rëndësi ta thellojë partneritetin me OIC për t`i luftuar sfidat globale dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.

Në këtë kontekst, ajo tha se forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës i kontribuon paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon e më gjerë.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e njohjeve të reja nga shtetet anëtare të kësaj organizate, duke potencuar se fuqizimi ndërkombëtar i Kosovës e rritë mundësinë për një Ballkan Perëndimor paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë. 

Related Articles