Këshilli Gjyqësor i Kosovës në takimin e mbajtur sot ka pritur drejtorin gjeneral të Administratës Gjyqësore në Norvegji, Sven Marius Urke.
Për Marius Urke, kjo është vizita e parë në Kosovë, dhe ka theksuar se Sistemi Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), ndihmon në procesin e reformave gjyqësore në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, rritjes së efikasitetit të punës së gjykatave, transparencës dhe llogaridhënies.
”Kjo është vizita ime e parë në KGJK, e që nuk kam një listë të shkruar lidhur me problemet në sistemin SMIL, të cilat duhet adresuar, por këtë herë kam një listë vetëm me gjëra të mira, prandaj dua t’iu përgëzoj për gjithë punën dhe angazhimin tuaj, dhe më lejoni t’iu them se jam shumë krenar me atë çfarë kemi arritur së bashku”, thuhet në njoftim të KGJK-së.
Kryesuesi Albert Zogaj, në emër të KGJK-së, falënderoi qeverinë norvegjeze për ndihmën e dhënë gjyqësorit të Kosovës.
”Në emër të KGJK-së, ju garantoj që sistemi SMIL do të jetë prioritet i lartë i sistemit gjyqësor dhe të gjithë duhet të krenohemi me rezultatet e tij, përtej asaj që i kemi parashikuar. Ky sistem, ka lehtësuar jetën dhe komunikimin e qytetarëve me gjykata dhe ne jemi mirënjohës për kontributin tuaj dhe të popullit norvegjez”, shtoi Zogaj.