I akuzuari L.S është dënuar me 100 euro gjobë me kusht, pasi e ka pranuar se në prill të 2022-ës, ka kontrabanduar një lopë pa dokumentacion përcjellës përmes rrugëve ilegale nga Serbia, duke i shkaktuar dëm 28 euro e 8 centë buxhetit të Kosovës.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit L.S, është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, nga gjykatësja Drane Simani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja bëri të ditur se në periudhën e verifikimit prej një viti, i akuzuari nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale.
Krahas kësaj, S. është i obliguar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë me 20 euro për paushallin gjyqësor.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhet se më 28 prill 2022, rreth orës 23:20, në fshatin Radivojc, Komuna e Vitisë, Njësia e Task Forcës – Policia Kufitare – Lindja Kaçanik, ka ndalur për kontroll automjetin – kamionin, të markës “Iveco”, të cilin e drejtonte i pandehuri L.S, dhe gjatë kontrollimit, i pandehuri në automjet kishte të ngarkuar një gjedhe të gjallë -lopë, me numër të pasaportit të gjedhit në emër të T.K, për të cilin nuk dihet origjina, e i cili mall në territorin e Republikës së Kosovës është futur rrugëve ilegale, nga Republika e Serbisë.
Në këtë mënyrë, thuhet se i pandehuri me veprimet e tij, për t’iu shmangur kontrollit doganor, ka bërë bartjen e mallit përmes rrugëve ilegale – malore, e që shmangia e detyrimeve doganore, sipas vlerësimit të doganës, është 28 euro e 8 centë.
Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311, paragrafi 2 të Kodit Penal.