Banorët e lagjes “Kodra e Dëshmorëve” në rrugën ‘Mark Gashi’ në Gjilan po hasin në vështirësi për të kaluar në këtë rrugë për shkak të gropave të mëdha që janë krijuar.
Sipas banorëve të kësaj lagje Komuna e Gjilanit deri tani nuk intervenuar asnjëherë për t’i rregulluar gropat e mëdha të cilat janë krijuar.
Makfire Kërqeli banore në rrugën ‘Mark Gashi’ thotë se rruga është bërë e pakalueshme, ajo bile e krahason rrugën me Liqenin e Batllavës për shkak të ujit të madh që grumbullohet kur ka të reshura të shiut.
“Që 23 vite kam ardhë qetu, qeshtu është me gropa. Unë përveti jo, kanë bërë banorët e tjerë. Me na shtru rrugën, këto gropa kshyri çka janë bërë. Këtu e ki ujin si batllava e Prishtinës, s’mundemi me kalu hiç, do gurë i kemi vendos me kalu”, thotë Makfire Kërqeli për Gazetën Enigma.
Avni Bekteshi po ashtu banor në këtë rrugë thotë se askush nga komuna nuk ka dalë me e vizitu këtë rrugë, përkundër kërkesave që i kanë bërë për rregullimin e saj.
“Kjo lagje, kjo rrugë e jonë ka shumë problem, domethënë, asnjëherë, askush nuk ka dalë me e vizitu këtë rrugë. Ka shumë gropa kjo rrugë, s’mundemi me kalu na sjellë vështirësi, na sjellë vështirësi me ecë në kam e le mo me vetura. Kena bo peticion, kena bo kërkesë, amo nuk është përgjigjë askush”, shprehet Bekteshi për Gazetën Enigma.
“Nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje, para disa viteve e kemi nënshkru komplet lagjja, e kemi dorëzu në komunë, por nuk u interesu askush për këtë punë”, thotë Bekteshi.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mentor Mihovci ka thënë për Gazetën Enigma se deri tani nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga banorët e kësaj rruge.
Megjithatë, Mihovci thotë se do trajtojnë këtë problem së shpejti.
“Nuk e di si kërkesë që më ka ardhë se zakonisht qytetarët i prezantojnë para meje, por do të interesohem sot. Ndërkohë e marri informacionin edhe e shohë, besoj që intervenojmë shumë shpejtë. Si rrugë si kërkesë, nuk e pasna dëgju si drejtor, por do t’i pyes edhe shefat, por sigurisht që do ta trajtojmë shumë shpejt”, thotë Mihovci për Gazetën Enigma.
Ai ka thënë se do ta rregullojnë këtë rrugë sa të përmirësohen kushtet klimatike.
“Ta shohim si është gjendja aty edhe si të përmirsohen kushtet klimatike besoj që e rregullojm atë rrugë”, ka thënë Mihovci./GAZETA ENIGMA/