Në ditën e dytë të qëndrimit në Japoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti një konferencë për media në Klubin e Korrespondentëve të Huaj të Japonisë (The Foreign Correspondent’s Club of Japan).
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate nga Qeveria për media.
Duke iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë hyrëse, ai fillimisht foli për figurën, rëndësinë dhe roli e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, të cilit i dhanë lamtumirën e fundit dje.
“Kryeministri Abe ishte një politikan i madh dhe një burrështetas edhe më i madh: Ai ishte një lider që kishte një vizion afatgjatë dhe transformues se si vendi i tij do të mund të shërbente si një forcë e të mirës në botë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në adresimin e tij, më tej kryeministri Kurti prezantoi sukseset e Kosovës dhe arritjet e Qeverisë.
“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, tha ndër të tjera kryeministri Kurti, teksa listoi përmirësimet e Kosovës në raportet ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporters ëithout Borders dhe Ëorld Justice Project”, tha Kurti, siç bëri të ditur Qeveria në komunikatë.
Ai tha se progresi demokratik dhe sundimi i ligjit gjatë vitit që po lëmë pas janë shoqëruar edhe me zhvillim ekonomik.
“Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 10.7%, kurse këtë vit për herë të parë eksportet pritet të tejkalojnë shifrën prej 1 miliard euro”, deklaroi kryeministri Kurti.
“Përveç sukseseve të brendshme, kryeministri Kurti foli edhe për angazhimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Me pjesëmarrjen në Defender Europe 2021 përkrah 26 vendeve tjera dhe me vendosjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj Rusisë në njërën anë, dhe akomodimin e mbi 1800 refugjatëve afganë dhe 9 gazetarëve nga Ukraina në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar se është partner i sigurt dhe aleat besnik në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri Kurti
Duke veçuar lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, dhe rrezikun që ato paraqesin për rajonin, kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Japonia kanë një lidhje të veçantë si dy shtete që janë të përkushtuara për qeveri demokratike, por të cilat po ashtu përballen me regjime autokratike në rajonet përkatëse.