Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është duke e pritur përgjigjen e anëtarësisë për pezullimin e grevës në arsim, dhe si rrjedhojë nga SBASHK deklaruan se në fund të javës do të bëhet e ditur se a do të fillojë mësimi apo jo.
Një gjë të tillë e bëri të ditur për Gazetën Enigma kryetari i Këshillit Grevist, Reshit Kushaj, i cili theksoi se shkresa iu është dërguar anëtarësisë së SBASHK-ut dhe pas analizës do të dilet me një njoftim për pezullimin apo vazhdimin e grevës.
“Dje edhe sot dhe nëse duhet edhe nesër do të bëhet analiza e grevës, do t’i marrim idetë dhe sugjerimet nëse do të vazhdohet me grevë apo të pezullohet greva. Do të thotë derisa të vijnë të gjitha informatat dhe të analizohet gjendja dhe kjo do të bëhet e ditur edhe për juve dhe për Këshillin e BSPK-së, deri në vikend gjithsesi do të ketë diçka zyrtare”, tha ai.
Kushaj mes tjerash tha se me kërkesën e anëtarësisë kanë hyrë në grevë dhe sipas tij me kërkesën e saj do të dalin nga greva.
“Ne ia kemi dërguar shkresën edhe anëtarësisë edhe mediave gjatë ditës së djeshme. Përmbajtja e shkresës i drejtohet anëtarësisë sindikale, ku ne me kërkesën e anëtarësisë jemi futur në grevë dhe me kërkesën e saj mund ta ndërpremë apo pezullojmë grevën”, deklaroi ai.
Ndryshe, në shkresën e cila u bë e ditur për media thuhet se “Këshilli Grevist i SBASHK-ut, bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”.