Sulmi seksual në Pejë: Nga kompania thonë se ishin aty kur u arrestua Beqiraj, presin vërtetim për shkëputje kontrate

Sulmi seksual në Pejë: Nga kompania thonë se ishin aty kur u arrestua Beqiraj, presin vërtetim për shkëputje kontrate

Flori Beqiraj, për të cilin Nacionale më herët raportoi se është i dyshuar për sulmin seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi është punëtor i Kompanisë së Sigurimeve Eurosig. Këta të fundit, deklarojnë se po presin vërtetim të rastit për të marrë masa.

Drejtori i kompanisë në Pejë, Bujar Hysenaj i tha Nacionales se kanë qenë aty kur ka ndodhur arrestimi i Beqirajt, por se nuk ishin në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.

Pyetur nga Nacionale nëse i njëjti vazhdon të punojë ende aty, Hysenaj na tha se nëse vërtetohet se i dyshuari ka kryer veprën e sulmit seksual, do t’i shkëputet kontrata.

“Vallahin në dijeni jemi, dhe kemi qenë aty, ka ardhë policia e ka marrë. E kemi marrë vesh prej portaleve çka është puna, se nuk e kemi ditë. Ai djal nuk ka dhënë diçka, si me thënë, që bon asi gjëra. Puntor i jemi u kon, unë jom Bujar Hyseni, drejtor i kompanisë në Pejë. Nëse e ka bërë këtë rast, ai nuk vazhdon me punon ma me kompaninë, shkëputen gjanat, kontrata, prej të hënës. Tash po presim njëher, zyrtarisht, çka po ndodhë”, tha ai.

Sulmi ndaj alpinistes Nikçi


Alpinistja Mrika Nikçi pasditen e së premtes bëri publik sulmin seksual ndaj saj në rrjetin social Facebook, ku publikoi edhe pamje nga rasti.

Ajo në llogarinë e saj ka shkruar se ndodhet në gjendje të rëndë emocionale dhe se nuk mund të deklarohet në tërësi.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova i tha Nacionales se i dyshuari është arrestuar sot.

Kurse, nga Prokuroria Themelore e Pejës bën të ditur se i njëjti po mbahet në paraburgim për 48 orë.

“Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësin e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Pejës.

Reagime rreth rastit

Arianit Nikçi, babai i alpinistes Mrika Nikçi, deklaroi se është shumë i shqetësuar, por tha se ka pasur bashkëpunim të mirë me organet përkatëse dhe qytetarët.

Kryetarja e Formit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku – Sadriu tha se ky rast e shpërfaq më së miri atë me të cilën përballohen vajzat e gratë në Kosovë për çdo ditë.

“Hapësira dhe rrugë të sigurta për të gjithë! Rasti i ngacmimit seksual në mes të qendrës së qytetit, shpërfaq më së miri atë me çka përballen vajzat e gratë tona çdo ditë në ambiente publike. Imagjinojeni me çfarë përballen ato në ambiente private.” – ka thënë Lushaku.

Analisti Agon Maliqi, tha se përderisa raste të tilla ndodhin në qendër të qytetit, mund të paramendohet se çfarë ndodhë në periferi e fshatra.

“Kjo në qendër të Pejës ku ka qarkullim njerëzish dhe kamera, paramendo çka ndodh nëpër periferi e fshatëra ku është edhe “më marre” me i bâ kështu publike”, – tha ai.

Related Articles