Mbi 50% e mësimdhënësve kanë votuar pro pezullimit të grevës.
Sipas burimeve të Klan Kosovës brenda Këshillit Grevist të SBAShK-ut, rreth 55% e mësimdhënësve kosovarë janë përcaktuar për të nisur mësimin të hënën derisa një përqindje e vogël e tyre kanë zgjedhur të mos deklarohen për asnjërin opsion.
Megjithatë nëse do të pezullohet greva zyrtarisht do të kuptohet nesër, kur BSPK-ja do të paraqesë edhe qëndrimet e anëtarëve tjerë të sindikatës.
Mësimdhënësit në të gjitha shkollat e vendit gjatë dy ditëve të kaluara kanë votuar nëse janë pro pezullimit apo vazhdimit të grevës, pas propozimit të SBAShK-ut për nisje të mësimit më 3 tetor dhe pezullim të grevës deri në janarin e 2023-ës.
Greva në arsim ka nisur nga data 25 gusht dhe po vazhdon akoma, pasi SBAShK-u nuk është tërhequr nga kërkesa për 100 euro shtesë për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit për Paga.