Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, më 15 shtator të vitit 2009, kishte marrë vendim që tre mësues grevistë turkë, Saime Ozcan, Kaya Guldeniz dhe Ahmet Seyhan, të kompensoheshin me 500 euro për, siç thuhet, dëm jopasuror dhe me 1 mijë e 840 euro për shpenzime të gjykatës, pasi ata u penalizuan për pjesëmarrje në grevë.
Sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Ozcan, Guldeniz dhe Seyhan, u penalizuan për pjesëmarrje, si mësues dhe anëtarë të sindikatës “Egitim Sen”, në ditët kombëtare të aksionit të grevës.
Të tre mësuesve, sipas gjykatës, iu mohua liria e tubimit dhe e organizimit, që përfshin grevat.
“Gjykata vendosi se dënimet, megjithëse shumë të lehta në rastin e zonjës Kaya dhe z. Seyhan, kishin qenë të tilla që të largonin anëtarët e sindikatave nga legjitimimi për pjesëmarrje në greva apo aksione të tjera sindikale, nuk kishte qenë “e nevojshme në shoqërinë demokratike”. Prandaj kishte pasur një shkelje të së drejtës së kërkuesve për lirinë për të demonstruar”, thuhet në këtë vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për pjesëmarrje në grevë për mbi një muaj që rezultoi me mosmarrje të rrogës po përballen mësimdhënësit në Kosovë. Ata janë duke kërkuar pagat nga qeveria për muajin shtator.
E, për këtë kërkesë, qeveria ka thënë se do ta respektojë ligjin, duke lënë të nënkuptohet se për të gjithë mësimdhënësit grevistë s’do të ketë paga për muajin që shkoi.