A i proceduan pagat komunat, reagon kryetari i Deçanit: Nagavci ia huqi

A i proceduan pagat komunat, reagon kryetari i Deçanit: Nagavci ia huqi

Kryetari komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka reaguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila më herët tha se komunat si përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar nuk kanë raportuar për pagat e mësimdhënësve në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave.

Ramosaj tha se komunat i kanë proceduar pagat sipas ligjit, ndërsa është Thesari i shtetit që i ka ndaluar ekzekutimin e tyre.

“Bazuar në kompetencat ligjore, çështja e pagave është kompetencë e komunës e bazuar në këtë kompetencë, komunat i kanë proceduar pagat sipas ligjit. E nderuara ministre e paaftë, sa për dijeninë tuaj është thesari i shtetit-Ministria për Buxhet dhe Financa që e ka ndaluar ekzekutimin e këtyre pagave, këtë fakt është dashur ta dini”, ka shkruar Ramosaj.

Për më tepër, deklaratën e Nagavcit ai e quajti huqje derisa asaj iu drejtua si “ministre praktikante”

“Fatkeqësisht tashmë janë bërë të zakonshme HUQJET që po i bënë kjo qeveri, e pritshme për mua që kësaj radhe ia huq ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Arbërie Nagavci, e cila paska deklaruar që “komunat” qenkan fajtore për pagat e mësimdhënësve, e zakonshme për një praktikante të paaftë që udhëheq këtë ministri”.

Nagavci më herët tha se pagat janë realizuar për ata zyrtarë që i kanë pasë të dhënat.

“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka thënë Nagavci.

Related Articles