“Për 20 vite shkatërruesit e shtetit kanë qeverisur vendin” – Ku qëndron dallimi me qeverisjen aktuale?

“Për 20 vite shkatërruesit e shtetit kanë qeverisur vendin” – Ku qëndron dallimi me qeverisjen aktuale?

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE”.

Kështu shkroi Lëvizja Vetëvendosja në një status në Facebook duke ia bashkangjitur edhe një video, teksa ngrehën një paralele mes liderëve të qeverisjes së kaluar me qeverisjen aktuale.

Por, si po vlerësohet qeverisja aktuale për dallim nga ato të kaluara?

Analisti për çështje politike, Gazmir Raci thotë për Gazetën Enigma se është koha që duhet punuar nga ana e qeverisë Kurti, sepse sipas tij mandatin e fituan me vota plebishtare si asnjëherë më parë.

Raci thekson se gjithsesi nuk është koha e akuzave, dhe sipas tij kjo qeveria i ka numrat për të bërë ndryshimet e premtuara.

“Edhe pse e morën pushtetin në kohë pandemije dhe më pas edhe krizen e inflacionit për shkak të luftës së Ukrainës prap se prap nuk është kohë e akuzave”, tha Raci.

Mes tjerash, ai thotë se “është momenti kritik që ndryshimi i premtuar të filloj të preket direkt edhe nga qytetarët, sepse po kalojmë nëpër një krizë të madhe ekonomike si pasoj e rritjes se çmimeve”.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka mbetur i habitur nga publikimi i një video të tillë nga ana e VV-së.

“Kam mbetur i habitur për një video të tillë, jo pse nuk e njoh propagandën që po e bënë Vetëvendosja në përgjithësi, por kam besuar se do të del me një videomesazh për punën që ka bërë për t’i realizuar kërkesat, premtimet, planifikimet e VV-së në pushtet”, tha Lushtaku për Gazetën Enigma.

Sipas tij “sulmi është mbrojtja më e mirë, prandaj edhe VV-ja e ka përdorur këtë videomesazh më shumë për ta mbrojtur vetëvetën sesa për të sulmuar të tjerët”.

Lushtaku e cilëson skandaloze këtë, sepse sipas tij nuk merren me ekzekutimin e buxhetit për të cilin kanë planifikuar.

“Është skandaloze kur në këtë kohë krize, nuk merren me ekzekutimin e buxhetit për të cilin kanë planifikuar. Buxheti për investime kapitale është vetëm 11 përqind dhe si rrjedhojë kemi edhe falimentime të shumë bizneseve dhe shumë problemtika të tjera që po shfaqën në këtë kohë krize ekonomike”, tha tutje ai.

Ku qëndron dallimi mes qeverisjeve paraprake me këtë aktuale?

Tutje, Lushtaku thotë se kjo qeveri është propaganistuese dhe sipas tij nuk është parti e cila merret me veprime konkrete, veprime politike reale që ndihmojnë qytetarët.

Sipas tij, qeverisja Kurti asgjë nuk po ndërmerr për t’ua lehtësuar jetën dhe ndërmarrësinë e bizneseve.

“Qeverisja Kurti asgjë nuk po ndërmerr për t’ua lehtësuar jetën dhe ndërmarrësinë e bizneseve dhe është larg realitetit politik nga ajo se çfarë ka menduar para se të vijë në pushtet”.

Kurse, analisti Raci nuk është i të njëjtit mendim se kjo parti është proganistuese. Përkundrazi, ai cilëson se VV-ja nuk ka afera korruptive të nivelit të lartë.

“Nuk ka afera korruptive të nivelit të lartë. Ka ulje të shpenzimeve të parasë publike sepse kemi qeveri më të vogël për nga numri i zyrtarëve të emëruar politik”.

Ndryshe, sa i përket kwsaj video tw publikuar nga Vetëvendosje, ka pasur reagime tw ndryshme nga skena politike.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se kjo Qeveri, problemet para fytyrës po i shmang, ndërsa përgjegjësive po iu ikën.

“Problemet para fytyrës i shmangin. Përgjegjësive u ikin. Dezertojnë nga menaxhimi. Konstantja e vetme e tyre: arsyetimi”,  tha Çitaku.

Kurse, Ganimete Musliu nga PDK tha se VV-ja të vetmen gjë që din ta bëjë është propaganda.

“Albin Kurti me një video të postuar në faqen e e VV në Facebook edhe njëher e konfirmoj që të vetmen punë që din ta bëjë êshtë propaganda”, ka shkruar Musliu.

“Albin je futur në qorrsokak me skandale e qeverisje të keqe. Kësaj radhe as përdorimi i figurës së Thaçit e Veselit nuk të ndihmojnë dot. Populli nuk po ushqehet më me propagandë e rrena”. /Gazeta Enigma/.

Related Articles