Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka uruar klubin e futbollit të femrave KFF Kosova Prishtinë me rastin e 20-vjetorit të themelimit të klubit.
Ademi është shprehur i lumtur me zhvillimin, arritjen dhe ndikimin që bëri ky klub në masovizimin e futbollit të femrave në vend.
Ademi që ishte themelues i këtij klubi ka treguar se si mbi 50 vajza të qyteteve të ndryshme në Kosovë iu përgjigjën pozitivisht ftesës në vitin 2002.
POSTIMI I PLOTË:
“Sot kam kënaqësinë që t’ia uroj 20-vjetorin e themelimit Klubit të Futbollit të Femrave “Kosova” – Prishtinë.
Si themelues dhe mbështetës i këtij klubi ndër vite, ndjehem jashtëzakonisht mirë kur shoh në retrospektivë zhvillimin, arritjet dhe ndikimin e këtij klubi në masovizimin e futbollit të femrave në aspektin mbarëkombëtar.
55 vajza nga qytete të ndryshme të vendit në vjeshtën e vitit 2002 iu përgjigjen ftesës sonë për ta krijuar klubin e parë të futbollit për femra dhe njëherësh thyen tabutë e asaj kohe, duke dëshmuar se futbolli nuk është sport vetëm i meshkujve.
Përkushtimi i tyre në lojën e futbollit dhe më pas arritjet e klubit bënë që ato të jenë promotore edhe të krijimit të Kombëtares së femrave të Shqipërisë, por më pas edhe të themelimit të shumë klubeve tjera në qytete të ndryshme të vendit dhe krijimit të mundësisë për fillimin e garave në formë lige.
Masovizimi dhe ngritja në një nivel më të lartë e futbollit të femrave mbetet prioritet i imi dhe i FFK-së, teksa ecuria e futbollisteve të dala nga KFF Kosova Pr, ka qenë dhe mbetet shembull dhe motiv për vajzat që duan të pjesë e futbollit.
Me këtë rast dua të falënderoj secilen futbolliste që ka qenë pjesë e KFF Kosova Pr dhe që ka dhënë kontribut për masovizimin e futbollit të femrave në vendin tonë.
Po ashtu, u shpreh mirënjohje edhe të gjithë trajnerëve që ishin pjesë e klubit, në veçanti të ndjerit Halil Sadiku, si trajner i parë i klubit dhe i shumë gjeneratave, por edhe të gjithë atyre që ishin pjesë e stafit gjatë këtyre dy dekadave të ekzistimit të këtij klubi.
Urime e ju priftë e mbara!
A.A“.
/Gazeta Enigma/