“Nuk besoj që Qeveria do të ndal pagat e mësimdhënësve ato mund të riemërohen”

“Nuk besoj që Qeveria do të ndal pagat e mësimdhënësve ato mund të riemërohen”

Pas pezullimit të grevës nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, ministria e Financave nuk i ekzekutoi pagat për muajin e kaluar për mësimdhënësit, shkruan Gazeta Enigma.

Një gjë e tillë ishte paralajmëruar më herët nga Qeveria, teksa kanë kërkuar listat e mësimdhënësve grevistë nga Drejtorët e secilës Shkollë.

SBASHK-u ishte deklaruar se deri ditën e sotme Qeveria ka kohë të ekzekutojë pagat ndaj mësimdhënësve.

Por Ministria e Financave as sot nuk i ekzekutuan pagat, ku ministri Murati deklaroi se sa i përket pagave për grevistët do të zbatojnë ligjin përkatës.

“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë shkurt Murati.

Ndërkohë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se nëse nuk ekzekutohen pagat deri sot, mund të kthehen sërish në grevë.

Ai gjithashtu ka theksuar se nuk ka më kushtëzime.

“Nuk ka më kushtëzime, ministrja Arbërie Nagavci dhe Qeveria e Kosovës duhet të procedojnë pagat për grevistët në arsim”, ka thënë Jasharaj.

Lidhur me ngjarjen aktuale në arsim Gazeta Enigma ka kontaktuar me drejtorin ekzekutiv të Institutit EdGuard, Rinor Qehaja.

I cili u shpreh optimist lidhur me ekzekutimin e pagave ndaj mësimdhënësve.

“Nuk besoj që qeveria do të ndal pagat e mësimdhënësve, dhe kjo na u dëshmua edhe në komunikatën e fundit të MASHTI. Paga e shtatorit mund të riemërohen por mësimdhënësit duhet të paguhen”, u shpreh Qehaja.

Sipas tij do të ishte padrejtësi ndaj disa mësimdhënësve të cilët ishin kundër grevës por që u bënë pjesë e saj.

“Do të ishte e padrejtë ndaj shumicës së mësimdhënësve që nga fillimi ishin kundër ndërprerjes së procesit mësimor por me shumë inerci u bënë pjesë e grevës. Prioritet në ketë muaj është mësimdhënia, debatet tjera nuk sjellin asgjë më shumë sesa shpërqendrim per mësimdhënësit. Prioritet i institucioneve është miratimi me shpejtësi i ligjit për paga, kjo është zgjidhja për situatën e krijuar, dhe është zgjidhje e domosdoshme për mirëqenien e mësimdhënësve”, potencoi Qehaja për Enigmën.

Ndërkohë që anëtari i kryesisë së SBAShK-ut, Reshit Kushaj tha se nuk do të ketë grevë edhe nëse nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit grevistë.

Megjithatë Kushaj u shpreh se vendimin do ta merr udhëheqja e SBAShK-ut së bashku me anëtarësinë e vet.

“Propozimet, idetë dhe sugjerimet do t’i marrim prej anëtarësisë. Të shohim se çfarë po mendojnë ata dhe ne vetëm veprojmë sipas zërit dhe kërkesave të tyre që do t’i kenë. Varet se çfarë do të vendosë kuvendi i SBAShK-ut”.

“Nuk e besoj se do të bëjmë rikthimin në grevë, por çdo gjë varet prej kërkesave që do t’i ketë anëtarësia e gjerë”, deklaroi Kushaj.

Ndër të tjera Kushaj theksoi se kjo që po ndodh tani s’ka ndodhur asnjëherë në historinë e lëvizjes sindikale në Kosovë edhe pse ka pasur greva edhe më parë dhe pagat janë ekzekutuar në kohë dhe ka pasur interesim dhe falënderim për rikthim në proces mësimor.

“Fillimin e procesit mësimor e bëmë pa asnjë kushtëzim përveçse e pezulluam grevën dhe u kthyem për hir të nxënësve në shkolla. Tani na doli se po presim të ekzekutohen pagat e kjo s’po ndodh dhe afati është edhe sot deri ne ora 12, ende nuk ka kaluar data 5. Uroj që ato të paguhen sa më parë”, përfundoi ai. /GAZETAENIGMA/

Related Articles