Roma pritet ta ndërtojë një skuadër të fuqishme vitin e ardhshëm, ku synimi është të luftojë për trofe. Ardhja e trajnerit Jose Mourinho ka rritur aspiratat në klubin kryeqytetas, derisa përforcimet pritet të nisin nga porta.
Trajneri portugez, Jose Mourinho nuk është aspak i kënaqur me dy portierët Pau Lopez dhe Antonio Mirante dhe ka kërkuar ta përforcojë këtë pozitë. Emri i ri në listën e drejtuesve të Romës është ai i portierit zviceran Yann Sommer që aktivizohet te Borussia Moenchegladbach.
32-vjeçari është njëri nga portierët më të vlerësuar në Evropë dhe Mourinho e dëshiron transferimin e tij në Olimpico. Giallorosët duan transferimin e zviceranit edhe për faktin se ai ka një çmim realisht të përballueshëm, pasi mund të transferohet për vetëm tetë milionë euro. Reprezentuesi zviceran është që shtatë sezone pjesë e Gladbach ku ka qenë pika kyçe për skuadrën gjermane.