U konsiderua ndër ngjarjet më të rënda në Kosovën e pasluftës.
E vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, në nëntor të vitit të kaluar, po del të jetë sfiduese edhe për organet e drejtësisë.
Gati një vit pas, është mbajtur veç një seancë gjyqësore, ku u dëgjuan dëshmitarët e prokurorisë kundër Halil Mehmetajt dhe tre djemve të tij, Malsorit, Kastriotit e Kreshnikut, të cilët dyshohen se vranë shoferin e autobusit – Gani Gjokajn, që po i bartte nxënësit nga Gjakova për në Deçan, ndër ta edhe Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj që vdiqën nga ky sulm.
Arsye për këtë, siç merr vesh Klan Kosova është një predhë plumbi që u gjet në veturën e njërit prej të dyshuarve, e që ekspertizë u dërgua në Zvicër.
Duke mos dhënë më shumë detaje për specifikat e ekspertizës, nga Prokuroria e Pejës thonë se detajet do t’i japin në një ngjarje që do ta organizojnë, veç për të gjeturat që vijnë nga shteti Helvetik.
Por, pak për këtë ekspertizë e edhe krejt provat e rastit, i di avokati i njërit nga të dyshuarit, Sylë Lokaj. Kjo pasi këtij, e edhe mbrojtësve të tjerë, i është ndaluar qasja në të dhënat e siguruara nga prokuroria. Ky kërkoi që gjykata të procedojë me dëshmitarët e mbrojtjes, sa më parë.