Baton Haxhiu: Pasi Kurti pranoi iniciativat franko-gjermane është dashur të respektohet dokumenti që publikuam

Baton Haxhiu: Pasi Kurti pranoi iniciativat franko-gjermane është dashur të respektohet dokumenti që publikuam

Gazetari Baton Haxhiu ka thënë se është i lumtur që po dëshmohet se dokumenti që e kishte publikuar mediumi i tij për dialogun, po dëshmohet të jetë i vërtetë, pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili sot e pranoi që ka shkëmbime idesh mes Brukselit e Uashingtonit dhe Prishtinës e Beogradit. Megjithatë, ai tha se nuk ka asgjë përfundimtare e aq më pak vendimtare.

Për Haxhiun, është mirë që së pari po dëshmohet që Gjermania dhe Franca kanë ndërmend që seriozisht të angazhohen për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i lumtur që dokumenti, realisht, është serioz dhe BE dhe sidomos Gjermania e Franca e mendojnë seriozisht që çështja të zgjidhet”, tha Haxhiu në Pressing të T7.

Sa për komentet e shumta pas publikimit të dokumentit kornizë nga Albanian Post, Haxhiu tha se sulmet personale nuk i merr seriozisht.“Që moti nuk i marr seriozisht gjërat ad hominem. Konspiracioni dhe linçimi janë pjesë e diskursit publik. Asgjë serioze për një kohë të gjatë nuk marr për njerëzit që defilojnë me fjalor që është 30 vjet i vjetër e ndoshta edhe më shumë”, deklaroi Haxhiu.

Gazetari tha se mediumi i tij asnjëherë nuk ka pretenduar që po publikon me një qasje përfundimtare.

Ai ka thënë se dokumenti i publikuar është dashur të respektohet.

“Asnjëherë Albanian Post nuk ka thënë se ky dokument është përfundimtar, por draft, por janë vendosur disa premisa nga të cilat nuk lëshohet pe. Është dokumenti i parë që tregon se Kosova merr 5 njohjet e shteteve të BE-së. Prandaj, është dashur të respektohet dokument. Është për të ardhur keq”, tha Haxhiu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron t’i jap më shumë fuqi Miroslav Lajçak, por sipas tij nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare.

“Unë kam propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut, ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi fanko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet”.

”Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruskel, Ëashington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë. Unë kam zotim të plotë për transparencë për procesin, por është edhe konfidencialiteti i bisedimeve paralelisht me transparencën e procesit, dhe të gjitha idetë me të cilën shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë të ndryshmit nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është le të themi në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj. Pas ngurtësimit vjen publikimi”, deklaroi Kurti sot.

Related Articles