Ekonomisti, Safet Gërxhaliu foli për krizën ekonomike në Kosovë,duke theksuar se gjithë Evropa është mobilizuar për t’i minimizuar efektet negative të krizës ekonomike dhe duke pranuar krizën si realitet, ndërsa në Kosovë sipas tij, një gjë e tillë është duke u mohuar.
“Në anën tjetër që është më tepër edhe irrituese tek qytetarët dhe në veçanti tek sektori privat dhe publik por edhe administratë është fakti kur krejt Evropa është e mobilizuar për t’i minimizuar efektet negative të krizës duke pranuar krizën si realitet, në Kosovë një gjë e tillë është duke u mohuar”, tha ai në teve1.
Tutje Gërxhaliu tha se për të minimizuar krizën ekonomike fillimisht Kosova duhet pranuar që ka një krizë të tillë e jo të bëhen deklarata institucionale për rritje ekonomike.
Ai deklaroi se vetë fakti që me vite të tëra nuk ka rritje të pagave, investime kapitale apo brenda 7 apo 8 muajve shpenzohen vetëm 10 për qind e buxhetit të paraparë është një grusht për qytetarët.
“Çdo ditë kemi deklarata institucionale për rritje ekonomike, për rritje të buxhetit, për rritje të të hyrave për një mirëqenie mirëpo vetë fakti që ne me vite të tëra nuk kemi rritje të pagave qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat është një vërejtje e parë, në rend të dytë nuk ka investime kapitale sepse brenda 7 apo 8 muajve të shpenzohen vetëm 10 për qind e buxhetit të paraparë është një grusht për sektorin privat dhe për qytetarët”, tha Gërxhaliu.