Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati kanë polemizuar në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
E ftuar në emisionin “Ditari” deputetja e AAK-së tha se ministri Murati nuk ka pasur guxim që të ua ndalojë pagat 199 punonjësve serbë, kurse sipas saj, 20 mijë mësimdhënësve u është ndaluar paga në mënyrë të paligjshme.
“Këta kanë ardhë me këto kauza që ne kemi me bë drejtësi. Ku është drejtësia e tyre, pse i kanë paguar 199 punonjës serbë? A vetëm pse nuk guxuan me ndërhy aty te serbët nuk po e kuptoj. Ti 20 mijë mësimdhënësve ua ndalove pagën për një muaj kur e pa që nuk është e ligjshme të ua ndalësh pagat sepse greva është legjitime është e drejtë e secilit person të mbajë grevë dhe ti aty munde të bësh lëvizje, e ku 199 punonjës serbë ti nuk pate guxim me ua ndalë pagat”, tha ajo.
Gjatë mbledhjes ministri Murati, premtoi se do ta adresojnë çështjen e pagesave për 199 punonjësit nga komuniteti serb. Kurse lidhur me pagesat e serbëve pa dalë në punë, kishte raportuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).