LDK-ja kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve: Situata është jashtë kontrollit, të nisin hetimet

LDK-ja kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve: Situata është jashtë kontrollit, të nisin hetimet

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë, që të intervenojnë sa më shpejt pas gjendjes së krijuar në Qendrën e vaksinimit në Prishtinë, raporton Gazeta Enigma.

Zemaj në një konferencë për medie lidhur me gjendjen e krijuar nga tollovia te salla “1 Tetori” në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë prisnin për vaksinim tha qeveria Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka rrezikuar qytetarët, duke u bërë shpërndarës të virusit.

“Në emër të LDK-së i bëj ftesë partnerëve tanë ndërkombëtare të cilët punuan bashkërisht në menaxhimin e situatës pandemike, ShBA-së, vendeve të BE-së OBSH-së në Kosovë dhe UNICEF-it që të intervenojnë dhe të theksojnë që situata duhet të kthehet në kontroll, përndryshe këto pamje dhe këta prindër tanë që sot janë drejtuar drejt vdekjes është tmerruese të shihet në ditët në vijim”.

“Sot nga papërgjegjësia totale edhe nga neglizhenca e paparashikueshme, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia sot ka rrezikuar qytetarët e Kosovës, duke u bërë shpërndarës të infeksionit”.

Zemaj ka thënë që vaksinimi nuk është duke shkuar sipas Planit Shtetëror për Imunizim, duke shtuar se duhet hetim për këtë çështje.

“Plani i imunizimit nuk është respektuar, nuk është marrë parasysh. Ka mbetur ashtu siç e kemi lënë në ueb faqen e MSh-së. Sot në të gjitha QKMF-të e Kosovës kanë qenë të përgatitura për marrjen e vaksinave. Vaksinat nuk kanë shkuar. Ka kërkesa që nga ky çakordim total janë drejtuar për në Prishtinë e që nuk është dashur që të ndodhë”.

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, i quajti skandaloze pamjet te salla “1 Tetori”.

“Jemi zgjuar me pamje skandaloze nga salla 1 tetori në Prishtinë jemi dëshmitar dhe po e përcjellim me shqetësim sesi qytetarët po grumbullohen me shpresën që kjo qeveri do të realizoj vaksinimin”.

Ardian Shala, nga departamenti i shëndetësisë në këtë parti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të një plani konkret për vaksinim.

“Asnjë plan konkret për sigurim të vaksinave e as vaksinim. Si pasojë e kësaj patëm sot këto pamje në sallën ‘1 Tetori’. Qytetarët nuk meritojnë një trajtim të tillë”.

Related Articles