Çeku: Serbia po shkel hapur konventat e UNESCO-s duke mos i kthyer 1247 eksponate

Çeku: Serbia po shkel hapur konventat e UNESCO-s duke mos i kthyer 1247 eksponate

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, deklaroi të premten se Serbia është duke i shkelur hapur konventat e UNESCO-s duke mos ia kthyer Kosovës 1247 eksponate.

Në një postim në Facebook, ai prezantoi disa nga thesaret e vjedhura arkeologjike dhe etnografike që i përkasin koleksionit muzeor publik të Republikës së Kosovës.

Çeku tha se këto eksponate të koleksionit muzeor publik të Kosovës janë marrë gjatë luftës nga Akademia Serbe e Shkencave.

“1247 eksponate të koleksionit muzeor publik të Kosovës janë marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës gjatë kohës së luftës (1998-99) nga Akademia Serbe e Shkencave. Ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë kundër historisë dhe identitetit të shqiptarëve, së bashku me shkatërrimin e mbi 1000 objekteve të trashëgimisë”.“Duke mos i kthyer eksponatet në vendin e tyre të origjinës, Serbia po shkel hapur konventat e UNESCO-s, marrëveshjen origjinale dhe dokumentin e Ahtisaarit”, ka shkruar ai.

Related Articles