Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se janë të gatshëm për ta vazhduar dialogun me Kosovën, pasi sipas tij “në të kundërtën viktimat do të ishin të shumta në numër”.
“Ne jemi të përkushtuar për të bërë dialog me Prishtinën nën kujdesin e Brukselit, sepse besojmë që asnjë konflikt i ngrirë nuk është i mirë”, tha Vuçiç pas takimit me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.
“E dini se si përfundojnë ato, çdo pesë vjet dikush i shkrin dhe përfundojnë me qindra e qindra të vdekur. Nuk na duhet kjo”, shtoi ai.
Vuçiç foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se nuk ka asgjë kundër që një gjë e tillë të ndodh.
Ndërkaq sa i përket marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, kreu i shtetit serb theksoi se Serbia nuk e ka në plan të largohet nga rruga evropiane.
Ai tha se vendi i tij qëndron pro hapjes së kandidaturës së Shqipërinë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian.