Bislimi takohet me ambasadorin francez: Do të aplikojmë për anëtarësim në BE

Bislimi takohet me ambasadorin francez: Do të aplikojmë për anëtarësim në BE

Zëvendëskryeministri Bislimi ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, bëhet e ditur në njoftimin për media të zyrës së tij për media. Në komunikatë janë përmendur çështjet e diskutuara, por s’janë përmendur vizat. Javën që shkoi, Bislimi ka thënë se kushti i Francës që vizat Kosovës t’i hiqen pas hyrjës në fuqi të sistemit ETIAS është i papranueshëm për Kosovën.

Dy palët, sic thuhet në njoftim, kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar marrëdhënien dhe bashkëpunimin e ngushtë me ambasadën franceze.

“Zëvendëskryeministri Bislimi tha se ky vit është shumë i rëndësishëm sa i përket agjendës evropiane të Kosovës, ku pas aplikimit për anëtarësim në​ Këshillin e Evropës, do të aplikojmë brenda vitit dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat. Kosova gjendet në vitin e 6-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, duke qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili akoma nuk ka aplikuar, andaj tashmë ka ardhur momenti të merret një hap i tillë” theksohet në njoftim.

Po ashtu thekoshet se në takim u bisedua dhe mbi “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe dialogun me Serbinë, ku u potencua fakti se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke”

“Marrëdhëniet Kosovë-Francë kalojnë edhe përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik, rritjes së investimeve franceze në vend e projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët” theksohet tutje.

Related Articles