Opozita në ‘’heshtje’’ për vendosjen e çmimit tavan në produktet esenciale

Opozita në ‘’heshtje’’ për vendosjen e çmimit tavan në produktet esenciale

Kuvendi në seancën e radhës do të diskutojë për vendosjen e çmimit tavan në produktet esenciale.

Kuvendi i Kosovës për këtë të enjte ka caktuar të mbaj seancën e re plenare me dy pika të rendit të ditës, shkruan Gazeta Enigma.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë bëri të ditur se do të trajtojnë dy projektligje të reja, e njëri prej tyre do të jetë për të vendosur çmim tavan për produktet esenciale.

“Seanca e radhës të jetë me 20 tetor me dy pika të rendit të ditës. Pika e parë është shqyrtimi i projektligjit për mbështetje e punëve publike, projektligji i dytë është ai për masa të përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destebalizimit në treg”.

“Ky projektligj parasheh vendosjen e një çmimi tavan për produktet e listës esenciale dhe tashmë edhe ky i ka plotësuar të gjitha kushtet që të kaloj në Kuvend”.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me ekspertin e ekonomisë Safet Gërxhaliu i cili ka deklaruar se Kosova ka humbur betejën në luftë me inflacionin.

Tutje ai ka shtuar se problemi më i madh është që e kemi një politizim të krizës.

‘’Është e vërtet që Kosova e ka humb betejën në luftë me inflacionin nga vet fakti që kriza si krizë nuk është pranuar nga institucionet’’, tha Gërxhaliu.

‘’Përderisa kriza nuk pranohet atëherë e ke shumë të vështirë me gjet strategji dalëse apo strategji për të minimizuar efektet e kësaj krize’’, tha ai për Enigmën.

Gërxhaliu thotë se në Kosovë është politizuar çështja e krizës dhe ngritjes së çmimeve, sipas tij Kosova për dallim nga vendet e Evropës ende nuk e ka një strategji për parandalimin e efekteve të krizës.

‘’Në rend të dytë problem më i madh është që e kemi një politizim të krizës dhe e treta që është më shqetësuese është fakti që derisa vendet e Evropës që ekonomikisht janë më të fuqishme kanë hartuar strategji për të parandaluar efektet e krizës, në Kosovë ka ndodhur e kundërta’’, tha Gërxhaliu.

Tutje ai ka shtuar se ‘’këtu janë promovuar të rritura rekorde të të hyrave ku janë promovuar performancë të shkëlqyera të doganave dhe ATK-së si një rritje ekonomike, ku e tëra ka ndikuar në radhë të pare në pakënaqësi te masa’’.

Ai thotë se për t’u vendosur çmimet tavan duhet që të analizohen edhe aspektin kushtetues.

‘’Tani jemi në një situatë ku më tepër përflitet sesa që ka gatishmëri për tu bërë. Duhet të kuptohet që çdo ngritje, çdo ngrirje apo çdo ‘’pllafun’’ duhet të analizohet të aspektin kushtetues, duhet të analizohet në aspektin e ekonomisë së tregut dhe në fund të fundit duhet të kuptohet e vërteta që në Kosovë sektori privat në veçanti fuqia e tregtarëve ka bërë shumë hapa më të avancuar se sa politika’’, ka deklaruar Gërxhaliu për Gazetën Enigma.

Sipas ekspertit të ekonomisë tani është koha për një dialog të mirëfilltë publiko-privat, është koha kur duhet të kemi një qasje pro biznes dhe jo bizneset të shikohen si për tu dënuar dhe për tu dëmtuar.

‘’Besoj që asnjë biznesmen nuk e lejon të punoj apo ta aprovoj një humbje dhe në këtë drejtim do të ketë një balance në mes të ofertës dhe kërkesës sepse shumë mallra do të mbesin në stoqe dhe nuk do të shiten kur e dimë që ato do shkaktojnë ulje’’, tha ai.

‘’Prandaj besoj se është koha për një dialog të mirëfilltë publiko-privat, është koha kur duhet të kemi një qasje pro biznes dhe jo bizneset të shikohen si për tu dënuar dhe për tu dëmtuar’’, ka përfunduar Gërxhaliu.

Për ecurinë e kësaj tematike Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka deklaruar se LDK që në muajin qershor ka kërkuar heqjen e akcizës prej naftës.

Tutje ajo ka shtuar se kjo parti ka kërkuar edhe zgjerimin e listës së mallrave esenciale në shportën e konsumatorit.

‘’Ne kemi kërkuar heqjen e akcizës prej naftës dhe gjithashtu kemi kërkuar zgjerimin e listës të mallrave që janë esenciale për shportën e konsumatorit me TVSh zero’’, ka deklaruar Bajrami.

‘’Më 30 qershor ku është mbajtur një seancë ne e kemi dhënë qëndrimin që ne jemi ekonomi e tregut të lirë, ne duhet ta implementojm ligjin e konkurrencës’’, tha ajo për Enigmën.

Bajrami e LDK-së: Jemi kundër vendosjes së ‘’çmimit tavan’’, oferta dhe kërkesa duhet t’i rregulloj çmimet.

‘’Nuk jemi në favor të vendosjes së çmimeve tavan sepse është oferta dhe kërkesa ajo që i rregullon çmimet’’, ka deklaruar ajo.

‘’Kur ka abuzim është neni 49 i ligjit për konkurrencën që përmes inspektoratit të tregut mundet me u rregullua, ku edhe bëhet vendosja e masave të përkohshme’’, ka deklaruar Bajrami për Gazetën Enigma.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se aktualisht Kosova ka mungesë të realizimit të projekteve.

Tahiri i PDK-së: Sikur të kishte Qeveri më efikase, projektet do të duhej të lëviznin më shpejt.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë tha se Projektligji për caktimin e çmimeve tavan për produktet e listës esenciale i jep mundësinë Qeverisë të ndërhyjë në treg.

“Jemi në një situatë ku duhet të shpenzojmë deri në 20 për qind të vlerës së projektit, nga ato mjete që i kemi në bilanc bankar që janë rreth 700 milionë në kuadër të bilancit bankar”.

“Kemi edhe mungesë të realizimit të projekteve, që duhej të realizoheshin dhe të mos vinim në një situatë të tillë. I kemi bëri thirrje në vazhdimësi të realizojë projekte që kanë qenë në kuadër të buxhetit”.

“Një projektligj i tillë nuk është konsultuar me Asociacionin e Kosovës. Ky projektligj ka ardhur në Kuvend pa konsultime. Projektligji i dytë, i jep mundësinë Qeverisë të ndërhyjë në treg. Mënyra si është paraparë të ndërhyhet në treg është në kundërshtim”./GAZETA ENIGMA/

Related Articles