Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se është i gatshëm të tërhiqet nga jeta politike e Malit të Zi kur për herë të parë të gjendet ndonjë kompani e tij e fshehur jashtë vendit ose në vend përmes të cilit, pretendohet se ka pastruar para inekzistente, raporton televizioni publik i Malit të Zi, RTCG.
Ai ka deklaruar se dy vjet ishin më se të mjaftueshme që, siç thotë ai, “skeletet të fillojnë të bien nga dollapi” të cilët, opozita e atëhershme dhe pushtetit i tanishëm, supozon se qeveria e PDS-ës i kishte arkivuar diku.
Ai ka komentuar edhe prezantimin e Abazoviqit në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë.
“Lexova dje raportin e seancës së Komisionit të Sigurisë në Kuvend, ku kryeministri tani bën një tjetër zbulim të bujshëm, ja mrekullia, pikërisht gjatë kësaj jave para zgjedhjeve lokale, njëfarë “qendra e njohur e forenzikës” do të prezantojë të dhënat për rrjetin prej, as më pak as më shumë se, 30 kompanive përmes të cilave janë pastruar paratë e mia?! Pra, kur e lexova, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte: Çfarë ndodhi me atë çantën e kaltër e cila qe tri vjet po paralajmërohet se sapo nuk ka mbërritur, si provë e të korruptuarit tim? Po çfarë ndodhi me atë paralajmërim se do të vijë nga një adresë autoritative nga Uashingtoni “haberi” se kush mund dhe kush nuk mund të qëndrojë në skenën politike të Malit të Zi? Është e qartë se kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviqit i duhet vetëm një ndihmë e tillë – për t’ia pastruar skenën politike, dhe kështu së paku para syve të tij të duket politikisht më i lartë dhe më i rëndësishëm sesa që është. Çfarë ndodhi me paralajmërimet e mentorëve të tij të sigurisë nga Agjencia e Sigurisë Informative nga Beogradi, të cilat në ndërkohë arritën të përhapen me ndihmën e disa mediave në Mal të Zi? Çfarë ndodhi me paralajmërime e tyre se gjoja do të marrim një “haber” nga ndonjë adresë e lartë perëndimore për sanksionet që do të vendosen ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë të shtetit të Malit të Zi? E çka në të vërtetë është dëshira e heshtur e vetë Abazoviqit, mentorëve të tij në Beograd dhe mentorëve të tyre të përbashkët në Moskë”, ka pyetur Gjukanoviq dhe ka shtuar se nuk ka asgjë prej paralajmërimeve të tilla.
“Të dobëtit vazhdojnë të tregojnë dobësitë e tyre dhe në fakt e ndërtojnë mbijetesën e tyre mbi krijimin e iluzioneve të reja. Pra, le t’i ndihmojmë me një mesazh nga këtu. Kur për herë të parë jashtë apo në vend gjejnë ndonjë kompani të fshehtë të Milo Gjukanoviqit, përmes së cilës kam kryer aktivitete apo kam pastruar para që nuk ekzistojnë, jam gati të tërhiqem menjëherë nga jeta politike e Malit të Zi. Kur gjejnë për herë të parë një cent të parave të fshehura në bankat vendore apo të huaja, mesazhi im është – ia fali Dritan Abazoviqit”.