Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 1 vit burgim ish-ministrin e MAPL-së nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i akuzuar për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Todosijeviq u shpall të mërkurën, nga kryetarit të trupit gjykues, Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, trupi gjykues e ka bërë rikualifikim të veprës penal, ashtu që veprimet e të pandehurit i ka cilësuar si nxitje e urrejtje, përçarjes apo mos durimit racor, fetar apo etnik nga neni 147 par 1 të Kodit Penal te Kosovës.
Kryetari i trupit gjykues ka thënë se zbatimi i dënimit hyn në fuqi pasi vendimi ta marrë plotfuqishmërinë.
Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejt të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit, 15 ditë pas marrjes së aktgjykimet në forme të shkruar.
Ndryshe, Kolegji i Gjykatës Supreme, vitin e kaluar e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, ku Todosijeviq ishte dënuar me dy vite burgim nga gjykata e shkallës së parë, vendim të cilin e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.
Njoftimin për këtë e kishte bërë Gjykata Supreme përmes një komunikate për medie.
“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në komunikatë
Ish-ministrit Ivan Todosijeviq i është ngritur aktakuza në korrik të 2019-ës pasi më 2018 kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, ku në janar të vitit 1999 ishin vrarë 45 civilë nga ushtria e shtetit serb.
Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit në gusht të këtij vitit të kaluar.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tërësi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin ishte shpallur fajtor i akuzuari.
Apeli kishte vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore.
Ndryshe, Todosjeviq kishte qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.
Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.
Sipas akuzës, më 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.