Prishtina ia ka shkaktuar disfatën e parë Dritës në Superligën e Kosovës në futboll.
Kryeqytetasit triumfuan 1:2 me përmbysje në rezultat në minutat e fundit të duelit të zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Ismet Munishi, trajneri i Prishtinës ka thënë pas ndeshjes se futbollistët e tij fituan me meritë.
“Ishte ndeshje e vështirë. Drita ka skuadër të mirë që luan futboll të mirë. Bëmë një ndeshje të luftuar dhe i jemi qasur ashtu siç duhet ndeshjes ndaj Dritës. Luftuam shumë për këtë fitore dhe këtë fitore ia dedikojmë Qelit dhe po ashtu ‘Plisave’. Do të vazhdojmë luftën edhe në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Munishi për ArtSport.
“E inkuadruam Santosin, i cili fitoi duelin në golin e parë që e realizuam, ndërsa në të dytin Shefifi kreu punën e tij. Shefiti është i mirë, por ka filluar me vonesë. Te penalltia kishim fat, sepse i ra topi në dorë lojtarit të Dritës. Me angazhim kemi merituar fitoren. Është ende herët të flitet për titull, por nëse nuk na shkëputen shumë klubet në krye të tabelës dhe forcohemi gjatë dimrit, mund të kemi shpresa. Shpresat janë gjithmonë”, ka shtuar Munishi.