Besnik Bislimi është kthyer në temë të ditës nga politikbërësit në Serbi, dhe gjithçka nisi nga intervista e tij e mbrëmshme në RTK2.
Aty, zëvendëskryeministri i Kosovës, mes tjerash tha se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq “në takime private në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë”.
Reagim pati menjëherë nga pala serbe. I pari ishte drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, i cili e quajti “gënjeshtar” e çka jo tjetër, raporton Klankosova.tv.
Pas tij, radha i erdhi vartësit tjetër të Vuçiqit, ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin.
Duke përdorur termin pezhorativ ndaj shqiptarëve si “shiptari”, Vulini tha: “Shiptarët vetëm mund ta urrejnë Vuçiqin, ai nuk do ta njohë të ashtuquajturën Kosovë”.
“Kam qenë me Aleksandar Vuçiqin që nga dita e parë e dialogut të Brukselit. Që atëherë e deri më sot, gënjeshtarë të ndryshëm, serbë dhe shiptarë, si Bislimi, thonë se Aleksandar Vuçiqi e ka njohur apo do ta njohë të ashtuquajturën Kosovë. Kanë kaluar 10 vite dhe e ashtuquajtura Kosovë ka më pak njohje sesa kur Serbia drejtohej nga Tadiqi dhe Jeremiqi”, thuhet në njoftimin e Vulinit, raporton mediumi serb N1.
Ai shton se “ka qenë dëshmitar i kërcënimeve dhe shantazheve të egra”.
“Dëgjova njerëzit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian teksa kërcënojnë Aleksandar Vuçiqin me zhdukje politike dhe lënë mundësinë edhe të zhdukjes biologjike. Unë jam dëshmitar se serbët në delegacionin tonë u frikësuan dhe hezituan dhe se Aleksandar Vuçiq ishte ai që e pengoi të ashtuquajturën Kosovë të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Aleksandar Vuçiqi nuk do ta njohë kurrë të ashtuquajturën Kosovë dhe këtë e dinë serbët, këtë e dinë edhe të huajt, këtë e di edhe unë që kam qenë bashkëluftëtar i tij gjatë gjithë këtyre viteve dhe shiptarët e dinë në veçanti, prandaj e sulmojnë dhe e urrejnë aq shumë. Dhe, ata vetëm mund ta urrejnë, ai nuk do ta njohë të ashtuquajturën Kosovë”, ka thënë Vulini.