Periudha janar-shtator, 12 të vdekur më pak nga aksidentet se vitin e kaluar

Periudha janar-shtator, 12 të vdekur më pak nga aksidentet se vitin e kaluar

Policia e Kosovës përmes një njoftimi bën të ditur se 12 persona më pak kanë vdekur sivjet sesa vitin e kaluar. Përveç kësaj, janë edhe 10 aksidente më pak, në periudhën janar-shtator.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se edhe aktivitetet policore në parandalimin e aksidenteve janë rritur për 40 për qind.

“Gjatë kësaj periudhe (janar-shtator 2022) janë evidentuar 10 aksidente fatale më pak, me 12 persona më pak te vdekur në aksidente rrugore se sa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë (janar-shtator 2021)”.

Njoftim i plotë:

Policia e Kosovës me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, në vazhdimësi ka zhvilluar aktivitete e angazhime të ndryshme në teren, përmes planifikimeve operative, patrullimeve të shtuara, në mënyrë që në formë preventive të ndikojë në parandalimin e shkeljeve në trafik, si dhe reduktimin aksidenteve rrugore në përgjithësi.

Bazuar në raportet analitike dhe gjendjen e sigurisë në trafik, për periudhën kohore janar-shtator 2021/2022 Policia e Kosovës ka intensifikuar angazhimet e saj dhe aktivitetet policore janë rritur mbi 40%, ku si rezultat i këtyre angazhimeve ka një rënie të numrit të aksidenteve fatale dhe të numrit të personave të vdekur nga aksidentet në rrugë.

Gjatë kësaj periudhe (janar-shtator 2022) janë evidentuar 10 aksidente fatale më pak, me 12 persona më pak te vdekur në aksidente rrugore se sa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë (janar-shtator 2021).

Angazhime aktive policore janë ndërmarr në periudha të caktuara kur ka pasur shtim të numrit të automjeteve dhe këmbësorëve, po ashtu edhe gjatë sezoneve kur ka pasur qarkullim të mjeteve bujqësore dhe policia ka vepruar për menaxhim dhe kontroll sa më efikas për të garantuar siguri më të madhe në trafik.

Policia e Kosovës apelon të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të respektojnë rregullat e përcaktuara sipas ligjeve të aplikueshme për trafik në mënyrë që të ndikojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë rrugore për të gjithë.

Related Articles