SHBA-ja e “zhgënjyer” me mosshtyrjen e afatit për targat

SHBA-ja e “zhgënjyer” me mosshtyrjen e afatit për targat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyera pasi Qeveria e Kosovës vendosi të mos e shtyjë afatin për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtare për të bërë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit, vetëm disa minuta pasi Qeveria e Kosovës miratoi një plan për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.

SHBA-ja ka thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por “zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”.

DASH po ashtu kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, në qendër të cilës, sipas Uashingtonit, duhet të jetë njohja reciproke.

Zbatimi i vendimit për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por pas barrikadave të vëna nga serbët dhe sulmeve të armatosura, Qeveria e pati shtyrë zbatimin, me kërkesë të ndërkombëtarëve. Afati përfundon më 31 tetor. E përkundër lehtësirave që u janë krijuar serbëve për konvertimin e targave nga ilegale në legale, deri më tani në Kosovë janë regjistruar vetëm 20 automjeteve me targa RKS.

Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.

Related Articles