Një kompanie në komunën e Ferizajt i janë vjedhur rreth 20 mijë euro para të gatshme. Policia rajonale thotë se rasti është akoma nën hetime.
Për të depërtuar brenda objektit të kompanisë, hajnat zgjodhën të hyjnë nga dritaret.
E pasi u futën brenda, dyshohet se personat e maskuar, arritën deri tek kasaforta me para që ndodhej në njërën prej zyrave brenda kësaj kompanie në Ferizaj.
Duket se hyrja ishte shumë e lehtë për ta, pasi që nuk u vërejtën nga pjesëtarët e sigurimit e as nuk u panë me kohë në kamerat e sigurisë.Synimin që kishin me këtë akt që e filluan ta realizojnë në orët e hershme të mëngjesit, e arritën. Kjo pasi që nga aty dyshohet se vodhën një shumë parash që kap vlerën e mbi 20 mijë eurove.
Pronarët e kompanisë pasi kuptuan për vjedhjen, gjetën edhe kasafortën e zbrazët një ditë më pas, në hapësirat përreth objektit.
Informacione rreth rastit për televizionin T7 dhanë nga Policia e rajonit të Ferizajit.
Siç bëhet e ditur, në këtë objekt është hera e parë që ka ndodhur vjedhje e tillë për gjatë 11 viteve të ekzistencës të kësaj kompanie.