Milot Rashica ka filluar të lë gjurmë në klubin e tij të ri Galatasaray.
Sulmuesi nga Kosova iu bashkua skuadrës turke më 8 shtator nga Norwich City si huazim për një edicion.
Por pas një fillimi të vështirë, Rashica ka ardhur në shprehje dhe ka zënë vendin e titullarit.
Mediat turke kanë raportuar se trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e fundit e Rashicës, si në Kupë ashtu edhe në kampionat.
26-vjeçari realizoi dy gola në Kupën e Turqisë ndaj Kastamonuspor, derisa e nisi si titullar edhe sfidën ndaj Fatih Karagumruk të fituar 2-0 nga Galatasary.
Ndaj skuadrës së Ibrahim Dresevic, Rashica luajti nga minuta e parë dhe ishte ndër lojtarët më të mirë në ndeshje duke asistuar në golin e parë, derisa krijoi edhe disa raste të mira si për vete ashtu edhe për bashkëlojtarët e tij.
Gjithnjë sipas asaj që raportojnë mediat në Turqi, drejtuesit e Galatasaray do të takohen me ata të Norwichit për të diskutuar të ardhmen e Rashicës.
Gjiganti turk është i gatshëm ta blej përfundimisht kartonin e Rashicës dhe në takim me drejtuesit e klubit anglez do të diskutohet për çmimin e kosovarit.
Vlera aktuale e Rashicës në tregun e transferimeve është shtatë milionë euro.