Policia në Prishtinë ka arrestuar një person të dyshuar, i cili ka kërcënuar përmes telefonit një gazetar të Gazetës Express.
Rasti ka ndodhur mesditën e së shtunës, ku i dyshuari, ka telefonuar në redaksinë e Gazetës Express ku ka kërcënuar gazetarin, pas lajmit se zyrtarja e Drejtorisë së Arsimit, Anita Xhabiri, ka ofenduar një gazetare tjetër të Gazetës Express.
I dyshuari i cili është bashkëshorti i zyrtares së komunës, ka kërkuar që të largohet lajmi për Xhabirin, ndërkaq ka kërcënuar se nëse një gjë e tillë nuk bëhet, gazetarët do të kenë punë privatisht me të.
“E hek lajmin, une jom tu shku në polici, po nuk e hek lajmin, përveç policisë ki punë personalisht me mu. Ti ki problem me familjen tem, sjelljet apo çkado qoftë që ti shkrun, e hani m*t, atë ki problem. Kur te thirrësh gruan tem, ki problem me mu. Nuk o tu m’hangër për çka je tu e thirrë grun tem, ti je tu e thirrë gruan tem, për informata zyrtare shko n’rrotë t’samës. Këtë që e ke publiku ki qasje private me mu, jo zyrtare. E largon, unë po shkoj në polici edhe po vi te ju edhe e zgjidhim rastin menjëherë, a u kuptum?”, ka deklaruar ai.
Pas raportimit të rastit në polici, është intervistuar gazetari në cilësinë e viktimës.
I dyshuari është arrestuar, ndërkaq pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Prishtinë 15.05.2021 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti sipas viktimës mashkull kosovar përmes telefonit e ka kanosur viktimën i cili është gazetar. I dyshuari ka mohuar se e ka kanosur, por vetëm ka kërkuar që të fshihet një shkrim që ka të bëjë me bashkëshorten e të dyshuarit. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në raportin e policië.
Ndryshe, zyrtarja e Drejtorisë së Arsimit, Anita Xhabiri, të shtunën ka ofenduar një gazetare të Gazetës Express, duke e quajtur “budallicë”.
Krejt kjo pasi gazetarja në fjalë ka kërkuar një qëndrim të Drejtorisë së Arsimit, pas raportimeve se një nxënëse e klasës së parë të një shkolle në kryeqytet, është abuzuar seksualisht nga disa nxënës tjerë.
Express ka kontaktuar me asistenten e Drejtoreshës për Arsim në këtë komunë, Anita Xhabirin, por sjellja e saj ka qenë skandaloze.
Ajo e ka quajtur gazetaren që e ka kontaktuar “budallicë” dhe ka bërtitur në telefon, duke thënë që të mos e telefonojë më kurrë.
“A bën më ditë, a e di çfarë dite është sot. Edhe? Çfarë rasti i jashtëzakonshëm prej gazetës po thirr të shtunën? A je normal ti? Kurrë ma mos gabo me thirr në këtë numër. Hiç kurrë. Budallica e thift”, i është drejtuar ajo gazetares dhe e ka ndalur telefonin.
Të shtunën në media është raportuar për një rast të dhunës seksuale në një shkollë në Prishtinë. Për këtë rast është publikuar edhe një video.
Në këtë video shihet një fëmijë, derisa i afrohet një vajze të vogël, që raportohet të jetë në klasë të parë, e cila mbahet me forcë nga një fëmijë tjetër.
Gazeta Express ka kontaktuar me drejtorinë e shkollës në fjalë, por ata kanë mohuar një gjë të tillë.
Nga drejtoria e kësaj shkolle kanë thënë se shkrimi i publikuar në media nuk ka asgjë të vërtetë dhe se bëhet fjalë për diçka tjetër.
Ata kanë deklaruar se rasti është trajtuar nga Qendra për Punë Sociale dhe Policia.
“Ai shkrim nuk ka asgjë të vërtetë brenda. Ka ndodh diçka tjetër, e është proklamu diçka tjetër. Nuk ka dhunë seksuale. Asgjë prej saj nuk është e vërtetë. Është trajtu nga Qendra për Punë Sociale dhe komuniteti i policisë”, kanë deklaruar nga shkolla.