Real Madridi e gjen pasardhësin e Dani Carvajalit në Bundesliga

Real Madridi e gjen pasardhësin e Dani Carvajalit në Bundesliga

Dani Carvajal është futur në vitet e 30-ta dhe te Real Madridi qysh tani kanë filluar të mendojnë për të ardhmen e krahut të djathtë të mbrojtjes.

Mbrojtësi spanjoll është në një formë të shkëlqyer dhe pritet të luaj edhe disa vite njësoj, por drejtuesit e klubit duan ta kenë një zëvendësues të tij dhe tanimë e kanë gjetur atë.

Në krye të listës së dëshirave të Los Blancos është mbrojtësi i djathtë holandez Jeremie Frimpong.

21-vjeçari ka dalë nga akademia e Manchester Cityt derisa ka luajtur edhe për Celtic dhe tani në Bayer Leverkusen ku po shkëlqen.

Në 17 ndeshje zyrtare këtë edicion Frimpong ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar në dy të tjerë duke konfirmuar se jo rastësisht është në listën e dëshirave të Real Madridit.

Gazetari Nicolo Schira, ka raportuar se madrilenët janë të gatshëm ta blejnë anësorin në janar nga Leverkuseni dhe ta lënë në huazim te skuadra gjermane ku Frimpong do të punojë nën drejtimin e legjendës Xabi Alonso.

Por kampioni në fuqi i Evropës nuk do ta ketë aspak të lehtë të nënshkruajë me talentin holandez pasi gara për të është e lartë.

Interesim për anësorin kanë shprehur edhe skuadra tjera të mëdha si Juventus, Manchester United, Barcelona dhe Arsenal.

Megjithatë Real Madridi mbetet favorit për faktin se është gati ta lejoj huazimin e holandezit në Bay Arena edhe pas transferimit të tij.

Leverkusen e vlerëson shumë yllin e tyre dhe nuk e ka ndërmend të pranojë ofertë nën 40 milionë euro, pasi verën e vitit të kaluar shpenzuan 11 milionë për ta transferuar nga gjiganti skocez Celtic. 

Related Articles