Mediat kanë zbuluar një atmosferë të tensionuar brenda kampit të Përfaqësueses së Francës, ku kritikat ndaj përzgjedhjeve të Zinedine Zidane, problemet organizative dhe tensionet në marrëdhënien e tij me kapitenin Kylian Mbappé kanë marrë vëmendjen kryesore.
Thashethemet për një përçarje në dhomën e zhveshjes vetëm sa e kanë shtuar ndjenjën e krizës. Sipas raportimeve, një grup lojtarësh mbështet Mbappén, ndërsa grupi tjetër është rreshtuar në anën e Ousmane Dembélés, duke i krijuar stafit teknik një problem që shkon përtej përgatitjes për ndeshje.
Këto detaje i bëri publike Cyril Hanouna, moderator në televizionin “W9”, gjatë paraqitjes së tij të premten. Ai pretendon se ka burime brenda Përfaqësueses së Francës.
Sipas tij, disa nga vendimet e Zidane kanë shkaktuar pakënaqësi te futbollistët, sidomos përzgjedhja e lojtarëve në listën e të ftuarve, ku përfshihen edhe emra që aktivizohen në kategoritë më të ulëta.
Hanouna vuri në dukje se Sael Kumbedi është lojtari i vetëm që aktivizohet në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, përpara se të shpjegonte se pakënaqësitë nuk lidhen vetëm me përzgjedhjet, por edhe me mënyrën se si Zidane po e menaxhon ekipin.
Sipas tij, pakënaqësia është aq e madhe sa disa futbollistë preferojnë që Zidane të vazhdojë me eksperimentet e tij derisa rezultatet të flasin vetë, edhe nëse kjo nënkupton një tjetër dështim. Ata shpresojnë që më pas trajneri të ndalojë ndryshimet e vazhdueshme dhe të përcaktojë një formacion e një grup të qartë lojtarësh.
Tensionet nuk lidhen vetëm me aspektin taktik. Largimi i Dayot Upamecanos nga grumbullimi për arsye personale thuhet se e ka zënë në befasi stafin teknik. Hanouna bëri të ditur se largimi i mbrojtësit nuk ishte pritur nga askush brenda kampit francez.
Problemet organizative gjithashtu janë shtuar. Ndër to përfshihet ndryshimi i orarit të stërvitjes së së premtes në Bordeaux, si dhe shqetësimet për largimin e mundshëm të disa anëtarëve të stafit.
Për më tepër, disa futbollistë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mënyrën se si janë organizuar udhëtimet e familjarëve të tyre. Sipas Hanounas, kaosi në kamp nuk lidhet vetëm me rezultatet apo vendimet taktike, por edhe me aspektin administrativ, duke ndikuar në atmosferën e përgjithshme të ekipit.
Çështja më delikate, megjithatë, mbetet marrëdhënia mes Kylian Mbappés dhe Zinedine Zidane.
Hanouna zbuloi se sulmuesi i Real Madridit i kishte kërkuar trajnerit që të luante ndeshjen e parë të këtij grumbullimi dhe më pas të kthehej në klubin e tij. Megjithatë, Zidane e kishte refuzuar këtë kërkesë, duke insistuar që Mbappé të qëndronte me përfaqësuesen deri në përfundim të grumbullimit.
Mbappé nuk ishte pjesë e ndeshjes kundër Italisë, por të premten zhvilloi stërvitjen e plotë, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në përballjen me Turqinë të dielën.
Por përplasja mes trajnerit dhe kapitenit nuk është e vetmja çështje që po shqetëson Francën. Hanouna foli edhe për një ndarje të dhomës së zhveshjes në dy grupe, njëri i rreshtuar pas Mbappés dhe tjetri pas Ousmane Dembélés.
Kjo situatë thuhet se i ka vendosur disa futbollistë në pozitë të vështirë, pasi është e vështirë të menaxhohen dy grupe me qëndrime të ndryshme brenda së njëjtës përfaqësuese.
Megjithatë, nuk janë përmendur emrat e lojtarëve që bëjnë pjesë në secilin grup dhe deri më tani askush nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e kësaj përçarjeje.
E gjithë kjo situatë përbën një sfidë të madhe për Zidane para ndeshjes me Turqinë. Pas humbjes nga Italia, kritikat nuk janë përqendruar vetëm te paraqitja dhe rezultati, por edhe te përzgjedhjet e trajnerit, marrëdhëniet e tij me yjet kryesorë të ekipit dhe problemet administrative brenda kampit.
A do të rikthehet Mbappé në fushë? Kjo mbetet pyetja kryesore, në një moment kur Franca duhet ta harrojë humbjen nga Italia dhe të rikthejë përqendrimin te futbolli, larg krizës që po dominon titujt e mediave.
