Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, tha se nuk ka marrë siguri lidhur me situatën në veri të vendit.
“Nuk mora siguri se Qeveria e din se çfarë veprime duhet ndërmarrë për ta mbajtur situatën nën kontroll”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka folur edhe për planin franko-gjerman dhe hapat të cilët duhet t’i ndërmarrë Qeveria në të ardhmen.
Derisa ka theksuar se nga ky takim mori përshtypjen që Kurti dhe qeveria e Kosovës nuk e kanë ide se në çfarë rrugë kanë hyrë dhe aq më pak se si do të dalin me sukses nga kjo gjendje.
“Pyetjet e tua janë edhe pyetjet e mia që unë i bëra por nuk mora përgjigje. (Flet për Asocicaionin). Janë pyetje legjitime, por fatkeqësisht nuk kemi përgjigje. Unë erdha sot këtu pikërisht për këtë për të parë se çfarë mund të ndihmojmë dhe cilat janë planet e qeverisë por fatkeqësisht e pashë që qeveria e Kosovës dhe Kurti nuk e kanë idenë në çfarë rrugë kanë hyrë dhe se si do të dalin me sukses nga aty. Dal nga ky takim jo shumë i sigurt që qeveria e kryeministri e dinë në çfarë rrugë kanë hyre dhe si do të ruajnë Kosovën dhe territorin e saj ashtu siç e kemi pasë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi dje i ka dërguar letër kryeministrit Kurti duke i thënë se mund të kontribojnë në lidhje me situatën e krijuar.
“Unë dje ia kam dërguar një letër kryeministrit ku ia ka m shprehur shqetësim lidhur me situatën në veri. Më vjen mirë që ka reflektuar dhe e ka ftuar këtë takim, patëm diskutim rreth asaj se si ka ardhur situata deri këtu. Isha më shumë interesuar për planet e qeverisë për të menaxhuar këtë situatë. Nuk mund të them se dola me një siguri të madhe se qeveria e din se në çfarë është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet marrë për të më tej” , ka thënë ai.