Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti do të udhëtoj nesër për në Paris, ku do të marr pjesë në Forumin e Paqes.
“Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani të premten dhe të shtunën pritet të qëndrojë në Paris.
E para e shtetit është në listën e pjesëmarrësve në Forumin e Paqes 2022, ku pritet të diskutohet për tejkalimin e krizave të ndryshme globale, nga ajo klimatike e deri te kriza ekonomike, shkruan Klan Kosova.
Në këtë ngjarje, Osmani do të marrë pjesë në cilësinë e panelistes në temën “Navigimi në trazirat ndërkombëtare”.
Pjesëmarrës në këtë forum pritet të jenë edhe presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, drejtori i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS), Paskal Bonifaci dhe Këshilltari i Lartë, Qendra për Dialog Humanitar, Jean-Marie Guehenno.
Forumi i titulluar “Bashkëpunimi në vend të luftës? Gjetja e shtigjeve për t’i naviguar trazirat ndërkombëtare”, pritet të nis të premten (11.11.2022) në orën 14:15, dhe do të vazhdojë edhe të shtunën.
Ndërkaq, në Paris do të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pikërisht për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Por ndryshe nga presidentja Osmani, Vuçiqi vetë dha detaje rreth kësaj vizite.
“Në dy ditët e ardhshme, do të kem takime në Paris me Josep Borrellin dhe Miroslav Lajçakun. Do të shohim se a do të ketë edhe takime tjera atje”, ka deklaruar Vuçiqi.