Para vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, në intervistë për RTK-në, ka treguar qëllimin e këtij udhëtimi.
Në vizitën zyrtare që do të realizojë javën e ardhshme, Krasniqi deklaroi se do të qëndrojë në Washington DC dhe New-York, ndonëse paraprakisht, të hënën e të martën, do të këtë vizitë në Bruksel.
“Në Bruksel, takimet kryesore do t’i zhvilloj në Parlamentin Evropian me një numër të konsiderueshëm të eurodeputetëve, kryesisht të atyre që kanë interes dhe merren me Kosovën, por edhe me ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thotë Krasniqi.
Në intervistën e transmetuar në emisionin “Info Plus’, Krasniqi deklaroi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të takojë të emëruarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Do të zhvilloj takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare si dhe Kongres, në dy dhomat: në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. E përtej kësaj, do të kem takime dhe pritje edhe në disa prej instituteve the think-tanks kryesore amerikane, të ndërlidhura qoftë në Partinë Demokratike apo Partinë Republikane, siç është Këshilli i Atlantikut, Fondacioni Haritage e kështu me radhë”, shpjegoi Krasniqi.
“Gjithsesi kam paraparë takime me disa nga personalitetet kryesore që në këto njëzetë por edhe tridhjetë vitet e fundit kanë qenë të angazhuar dhe kanë përcjellë zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkan”.