Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u pyet edhe për strategjinë e tij si lider i partisë më të madhe opozitare në vend, për daljen nga kjo situatë, siç është ajo në veri të vendit.
“Situata në veri është vërtetë shqetësuese me potencial negativ për përshkallëzim”, konstatoti Krasniqi, sipas të cilit, kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë për ta dëmtuar Kosovën, por janë kërkesa për ta ndihmuar Kosovën.
“Asnjë nga të arriturat tona historike nuk ka ndodhur vetvetiu e as në izolim”, tha ai. “Të gjitha kanë ndodhur në koordinim dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend u shpreh se sot ekziston një momentum i ri ndërkombëtar, në kohën kur pothuajse vëmendja e përgjithshme diplomatike është e fokusuar drejt Ukrainës.
“Ne duhet ta marim shumë seriozisht këtë koncentrim që po ndodhë në raport me Kosovën dhe po ashtu në tendencën për ta normalizuar raportin tonë me Serbinë. Pra angazhimi i SHBA-së, i Francës, i Gjermanisë Bashkimit Evropian në këtë koordinim që po shohim, duhet të shfrytëzohet me mençuri dhe me maturi nga Qeveria jonë”.
Krasniqi në RTK deklaroi se Kosova ka nevojë për vendime të përgjegjshme. “E në këtë kuadër, për arsye që i përmenda, për faktin që çdo e arritur e vendit tonë, e qytetarëve tanë, ka ndodhur vetëm kur kemi qenë të koordinuar dhe të konsultuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që kjo duhet të ndodhë edhe tash”.
Në këtë intervistë, Krasniqi u pyet edhe për rolin e tij pas takimit me kryeministrin Kurti. “Jam i shqetësuar nga zhvillimet në veri dhe duke paraparë potencialin e përkeqësimit, i kam shkruar një letër qysh të hënën kryeministrit, ku i kam shprehur jo vetëm gatishmërinë për të komunikuar, por edhe për të parë mundësitë e ndihmesës ndaj Qeverisë dhe institucioneve si partia më e madhe opozitare, në lidhje me rikthimin e normalitetit në pjesën veriore të vendit dhe mbi të gjitha në vazhdimësinë e ushtrimit të sovranitetit shtetëror atje si dhe mbarëvajtjen e rendit publik atje”, tha Krasniqi për RTK-në, duke e vlerësuar reflektimin e kryeministrit, i cili më pas, sipas tij, edhe i ftoi në takim.
“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për gjithçka, por kam pasur një shqetësim të ri nga ai takim sepse nuk kam dalë i sigurt se Qeveria e di se cila është rruga që i ka hyrë dhe cili është epilogu i saj”, u shpreh kreu i PDK-së, duke shtuar se kërkon dhe shpreson se takimet që po ndodhin këto ditë, qoftë në Paris, qoftë tjera që mund të ndodhin në ditët në vijimësi, të trajtohen nga kryeministri Kurti, por edhe nga presidentja Osmani dhe që të ketë një lëvizje përpara në kthimin e normalitetit në pjesën veriore dhe në ruajtjen e krejt suksesit shtetëror të Kosovës. “Jo vetëm shtrirjen e sovranitetit, por edhe në integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”.