Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka marrë pjesë në Samitin e Rinisë të Ballkanit Perëndimor të organizuar në Vjenë. Ai në këtë samit ka thënë që të rinjtë janë ata që janë më tolerantët, ata që shtyjnë para axhendën për paqe, gjithëpërfshirje dhe zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa ka shtuar se të rinjtë kanë përfituar nga disa programe përmes zyrës së Bashkimit Evropian.
“Ka shumë shpresë dhe entuziazëm për integrimin evropian në mesin e të rinjve tanë. Ata duan të përfaqësohen në një nivel evropian dhe të kontribuojnë në formimin e së ardhmes së Evropës. Përmes zyrës së BE-së në Kosovë, të rinjtë tanë kanë mundur të përfitojnë nga programet si Erasmus+, Creative Europe, Young European Ambassadors dhe Europe Goes Local”, ka theksuar Çeku.
Ndërkaq ka shtuar se në programin për rininë është i përfshirë themelimi i Komisionit Shtetëror për Rininë si mekanizëm për koordinimin ndërqeveritar të politikave dhe programeve sektoriale.
“Aktualisht jemi duke vlerësuar zbatimin dhe ndikimin e strategjisë sonë ekzistuese ministrore për të rinjtë që do të skadojë në vitin 2023 dhe po ndërmarrim hapa drejt krijimit të një grupi ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë për të ngritur strategjinë e ardhshme për të rinjtë në nivel kombëtar me përfshirjen e të gjitha institucioneve publike”, ka thënë ai.
Më tej ka theksuar se të rinjtë e Kosovës janë të pasionuar dhe të talentuar për muzikën, filmin, sportin, biznesin dhe teknologjinë si dhe suksesi në garat e sportit të xhudos i ka shtyer të punojnë një program kombëtar prej 12 milionë eurove të quajtur “Kosova Judo Nation”, me anë të cilit do të promovojnë sportin e xhudos në të gjithë vendin.
Ndryshe ky samit është mbajtur si pjesë e Vitit Evropian të Rinisë 2022.