Nën organizimin e ministrisë së Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës, Asociacionit Kosovar të Motorizimit “AMRKS” dhe Policisë së Kosovës ka filluar shënimi i Javës së sigurisë rrugore.
Hysen Durmishi, zëvendësministër Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës, tha se në botë 1.3 milion njerëz vdesin nga aksidentet rrugore.
Ai më tej ka kërkuar që shpejtësia e lëvizjes në zonat specifike të zbres në 30 kilometra në orë, duke garantuar se do të angazhohen në përmirësimin e gjendjes së sigurisë së trafikut.
“Aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve dhe dëmtimeve materiale në trafikun rrugor, dhe në botë po bëhen shkaku kryesor i tragjedive personale, sociale dhe ekonomike”.
“Duke u sjellë në pajtim me Ligjin e trafikut secili nga ne mund të ndikojë më përmirësimin e gjendjes së sigurisë së trafikut. Të zhvillohet trafiku 30 kilometër në orë që të bëjë trafikun më të sigurt duke mbrojte jetë”.
Gazmend Hoxha, nga Policia e Kosovës, ka kërkuar që të respektohen rregullat nga të gjithë pjesëmarrësit në rrugë, dhe të ulet shpejtësia afër shkollave dhe në vende urbane.
“Po promovohet Java e sigurisë në trafik dhe ne bëjmë thirrje për uljen e kufizimit të shpejtësisë në 30 kilometra në orë afër shkollave dhe në vende urbane”.
“Të respektohen rregullat nga të gjithë pjesëmarrësit në rrugë. Kosova ka më së paku vdekje për 1 milion banorë në aksidente trafiku krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.
Kurse Muhamet Krasniqi nga AMRKS ka dhënë një lajm të mirë duke treguar se Kombet e Bashkuara kanë zgjedhur një fotografi të aktivistëve kosovarë për të bërë hapjes e fushatës për siguri në trafik.