Hans-Dieter Flick nuk është i vetmi që do të largohet nga Bayern Munichu në fund të këtij sezonit, pasi që aventura bavareze do të përfundojë edhe për Miroslav Klose, raporton mediumi gjerman.
Ish-sulmuesi i famshëm gjerman, i cili punon si ndihmës i Flick te rekordmenët e futbollit gjerman, ka folur rreth së ardhmes së tij në prononcimin e dhënë për mediumin “Kicker”.
“Do të vendos vetë se çfarë do të bëj sezonin e ardhshëm, idetë i kam të qarta. Mendoj se Kahn e ka të qartë që nuk do të qëndroj këtu sezonin e ardhshëm”, deklaroi 42-vjeçari.
E ardhmja e legjendës gjermane është në dyshim, ku mediat gjermane janë të bindura që Klose do të ndjekë rrugën e Flickut, i cili pritet të bëjë eksperiencë të re te kombëtarja e Gjermanisë, ku do të marrë detyrën e selektorit pasi të përfundojë Euro 2020, përcjell Sinjali Sport.