Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se i vjen keq për vendimin e presidentit rus Vladimir Putin për të mos marrë pjesë në samitin e G20-ës në Bali javën e ardhshme, ku do t’i duhej të përballej me kritika të ashpra për luftën që filloi në Ukrainë.
“Do të ishte mirë nëse presidenti Putin do të kishte marrë pjesë në samitin e G20-ës. Por atëherë ai do të duhej të ekspozohej ndaj të gjitha pyetjeve dhe të gjitha kritikave që janë formuluar nga shumë vende të botës. Kjo është ndoshta arsyeja pse ai nuk është këtu”, ka thënë Scholz.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbajë një fjalim me video teksa liderët e G20-ës do të takohen në Bali të Indonezisë të martën për një samit dyditor.
Putini anuloi pjesëmarrjen e tij disa ditë më parë dhe tani do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.
Mediumi shtetëror rus publikoi një video që tregon Lavrovin duke zbritur nga avioni i tij në Bali të dielën në mbrëmje dhe duke u përshëndetur me një performancë nga kërcimtarë indonezianë.