Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë, Goran Stanishiq, duke ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj tij, përkitazi me vendimin mbi dënim, ashtu që ia ka ulur dënimin të njëjtit nga 20 në 15 vjet burgim.
Më 5 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, Goran Stanishiqin e kishte dënuar me 20 vite burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në vendimin e Apelit, i cili rezulton të jetë publikuar më 27 tetor 2022, thuhet se Stanishiq gjykohet me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 15 vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit G.S., av. Lubomir Pantoviq, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.11/2020, datë 05.10.2021, ndryshohet përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin G.S. për veprën penale për të cilën është shpall fajtor e gjykon me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjete) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 20.07.2019 e tutje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Kjo gjykatë, ka gjetur se pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit Stanishiq, avokatit Lubomir Pantoviq, përkitazi më vendimin mbi dënim janë të bazuara.
Në vendim, thuhet se Gjykata e Apelit gjen se sipas dispozitës së nenit 38, paragrafi 1 të LPJ, dënimi me burgim nuk mund të jetë më i shkurtë se 15 ditë e as me i gjatë se 15 vite, kurse sipas paragrafit 2 të këtij neni, vetëm për veprat penale për të cilat është parashikuar dënimi me vdekje gjykata mund të jap edhe dënim prej 20 viteve burgim.
“Me Rregulloren e UNMIK-ut nr.199/24, datë 12 dhjetor 1999 që ka hyrë në fuqi prej 10 qershor 1999, vetëm është shfuqizuar dënimi kapital me vdekje (neni 1.5) dhe nuk është përcaktuar dënimi me burg afatgjate prej 40 viteve në vend të dënimit me vdekje. Me ndryshimin e rregullores se lartcekur me Rregulloren nr.2000/59, datë 27 tetor 2000, me nenin 1.5 të saj, dënimi me burgim është hequr, kurse me dispozitën e nenit 1.6 të saj është përcaktuar se për çdo vepër penale për të cilën sipas ligjit në fuqi në Kosovë të datës 22 mars 1989 parashihet dënimi me vdekje, dënimi do të jetë me burgim ndërmjet minimumit që parashihet për atë vepër dhe maksimumit prej dyzet vitesh”, thuhet në këtë vendim.
Tutje, vendimi thotë se me dispozitat kalimtare (neni 4) të kësaj rregulloreje, është paraparë se kjo rregullore hyn në fuqi më 27 tetor 2000, kurse neni i ri 1.6 vlen vetëm për krimet e kryera pas kësaj date.
“Rregullorja e dytë nuk ka krijuar legjislacion të ri penal por vetëm e ka ndryshuar dënimin me vdekje me dyzet vite burgim meqë me rregulloren e parë vetëm është shfuqizuar dënimi me vdekje dhe nuk është përcaktuar dënimi afatgjatë me burgim deri me ndryshimin e saj që përfshin periudhën prej 10 qershor 1999 deri me 27 tetor 2000 posaçërisht bazuar nenin 1.6 të Rregullores se ndryshuar e cila qartë ka përcaktuar se dënimi me burgim afatgjatë vlen vetëm për krimet e kryera pas datës 27 tetor 2000, duke pasur parasysh edhe parimin e ndalimit të veprimit retroaktiv të ligjit penal, fakti se nuk ka bazë ligjore për shqiptimin e dënimit me burgim afatgjatë gjatë kësaj periudhe dhe parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm Gjykata Apelit konstatojë se për të gjitha veprat penale të krimeve të luftës dhe veprat tjera të cilat janë kryer deri me 27 tetor 2000 e për të cilat është i zbatueshëm Ligji Penal i Jugosllavisë, maksimumi i dënimit të shqiptuar me burgim është 15 vite”, thotë vendimi.
Sipas Apelit, me të drejtë theksohet në ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit se maksimumi i dënimit me burg, i cili në këtë rast ka mundur t’i shqiptohet të akuzuarit ka qenë dënimi me burg në kohëzgjatje prej 15 vitesh, andaj, edhe gjykata e shkallës së dytë e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë lidhur me vendimin për dënim nga 20 në 15 vite burgim, ngase ka gjetur se maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është më i vogël se sa maksimumi i dënimit që ka gjetur Themelorja, andaj edhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.
“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit vlerëson se ky dënim është në proporcion me peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale, rrethanave të kryerjes, pasojave të shkaktuara si dhe me bindjen se dënimi do të ndikoj në parandalimin për kryerjen e veprave penale në të ardhmen si dhe të ndikoj tek personat tjerë të mos kryejnë vepra penale. Andaj, dënimi i shqiptuar është i mjaftueshëm për tu arritur qëllimi i dënimit”, thuhet nga ana e Apelit.
Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Goran Stanishiq, avokati Lubomir Pantoviq, ankesë kishte bërë edhe për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, mirëpo Gjykata e Apelit për të njëjtat pretendime ka gjetur se nuk qëndrojnë dhe se janë të pabaza.
Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte bërë përgjigje në ankesë të mbrojtësit të të akuzuarit, duke propozuar që ankesa e mbrojtësit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.
Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G., kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia dhe pasi që ata kishin dalë, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë.
Në aktakuzë thuhet se më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dalë nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dalë nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përballë një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.
Më 16 prill 1999, thuhet se në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkëngjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.
Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.
Për këtë, sipas prokurorisë, Stanishiq në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nënparagrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi