Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia në përgjithësi duhet të vazhdojë me metodat aktuale të luftimit “jo të dhunshëm” në Kosovë, sepse ato janë “më vdekjeprurëse”, dhe bashkësisë ndërkombëtare “më së shumti i dhemb” fakti që serbët nuk janë në institucionet e Kosovës.
Daçiq ka pretenduar se tani është çështja nëse autoritetet e Kosovës do të gjejnë disa nga serbët e tyre “të vet” për t’i futur në institucione, siç bëri Serbia me shqiptarët në vitet 1990, por ata njerëz nuk e kanë dhe as nuk do ta kenë mbështetjen e popullit të tyre.
Duke folur për zgjidhjen e problemit me Kosovën, Daçiq ka pretenduar se e vetmja gjë që mendon se është reale është të pranohet situata aktuale në terren – të dihet se “çfarë është serbe e çfarë shqiptare”.
Sipas tij, fajtorët kryesorë për moszgjidhjen e problemit janë ata që nuk pranojnë dhe nuk e kuptojnë se ky është vendimi më i shpejtë dhe më i drejtë.
Daçiq ka thënë se Serbia e respekton Marrëveshjen e Uashingtonit aq sa respektohet edhe nga Kosova, e cila e ka shkelur atë duke kërkuar pranimin në Këshillin e Evropës.
“Ne do t’ua kthejmë atyre jo me të njëjtën masë, por dhjetëfish më shumë”, tha Daçiq, dhe ka shtuar se “Serbia po punon për tërheqjen e njohjeve, si dhe për të bërë që disa vende të ndryshojnë qëndrimet e tyre”.