Policia turke ka publikuar videon e arrestimit të një gruaje që thuhet se ka pranuar përgjegjësinë e atentatit të së dielës në Stamboll.
Autoritetet e identifikuan atë si Alham Albashir, një shtetase siriane që sipas policisë ka lidhje me militantët kurdë.
Të paktën 6 persona u vranë dhe rreth 80 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të ndodhur në sheshin Taksim.
Lidhur me episodin e rëndë janë arrestuar edhe mbi 20 persona të tjerë. Duke vizituar vendin e ngjarjes, kryebashkiaku i Stambollit u bashkua me qytetarët për të bërë homazhe.
“Ne do të veprojmë në përputhje me përgjegjësinë tonë ndaj Stambollit dhe do të mirëpresim të gjithë turistët, mysafirët dhe natyrisht banorët e qytetit tonë në një ambient më të sigurt se ai që ishte dje. Askush të mos e vërë në dyshim këtë”, tha ai, raporton Euronews.
Shpërthimi i së dielës i kujtoi Turqisë sulmet e dhunshme të ndodhura në Stamboll dhe qytete të tjera mes viteve 2015-2017. Asokohe autoritetet fajësuan Shtetin Islamik dhe ekstremistët kurdë.