Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në një konferencë për media pas përfundimit të samitit Bërdo-Brijuni në Slloveni, ka folur rreth asaj që është diskutuar në takim.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se në samit janë dakorduar për tekstin e deklaratës, që sipas tij, është një kompromis.
“Kompromis sepse dikush është dashur të tërhiqet nga diçka. Ka pasur ngritje tonesh, mosmarrëveshje. Të themi, agjenda e presidentes së Kosovës, Osmanit, ka qenë të themi ambicioze, dhe se për shkak të kundërshtimit të Serbisë disa pjesë është dashur të hiqen. Këtë unë e shoh si krejtësisht të pranueshme. Kroacia dhe Sllovenia janë këtu që t’i ndihmojnë shtetet tjera, para së gjithash, që janë në procesin integrues në një fazë ku ne kemi qenë para 15-20 vjetësh”, deklaroi Milanoviq.
Ai tha se problemet bilaterale të shteteve fqinje nuk do të mund të zgjidhen në samitin Bërdo-Brijuni, dhe kjo, sipas tij, edhe e ka penguar paksa punën e samitit, duke e kthyer kokën kah presidentja Osmani.
“Mendoj se do të ishte mirë të mos shfrytëzohen takime të tilla për çështje të tilla”, theksoi presidenti kroat.
Një zgjidhje kompromisi, por e qartë, tha ai, është se vitin e ardhshëm do të shihemi ose në Prishtinë ose në Beograd.