Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se udhëheqja e Qeverisë Kurti në sektorin e shëndetësisë është “faqja e zezë”.
Ai akuzoi Qeverinë Kurti se s’ka vizion, s’ka plan dhe sipas tij, është treguar që s’ka as aftësi të menaxhojë me sektorin e shëndetësisë.
Zemaj përmendi edhe kohën e largimit nga detyra të ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për të garuar për kryetar të Prishtinës.
“Një ministër e ka larguar në pikun e pandemisë verore që të fitojë pushtet. Ministri i parë i dështuar që u largua nga pozita e tij për të kandiduar për kryetar të komunës së Prishtinës në kohën kur ka pasur shifra alarmante të vdekjeve nga COVID-19 dhe të infeksionit. Kjo është pjesa e parë e moralit”, është shprehur Zemaj, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai përmendi edhe rastin e ministrit Rifat Latifi, që sipas Zemajt, ai s’kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë.
“Pastaj, Kurti caktoi një ministër që dukej se s’kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë. Këtë e kuptoi vetëm pasi e la detyrën. Ai tha se Qeveria Kurti, jo qeveritë tjera, por Qeveria Kurti e ka ndërtuar një ambient toksik brenda MSh-së, por edhe korruptiv”, është shprehur Zemaj, njofton Klankosova.tv.
Ish i pari i Shëndetësisë, tha se dorëheqja e Latifit dhe caktimi i një ekipi për menaxhim të shëndetësisë, tregon se dështimi nga Qeveria Kurti në këtë sektor u pranua.