Kurti bën një përmbledhje të vizitës në Estoni

Kurti bën një përmbledhje të vizitës në Estoni

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij zyrtare që ka zhvilluar në Estoni.

E ka nisur me takimin që ka pasur me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, duke thënë se ajo ka ofruar mbështetje për Kosovën në rrugën euroatlantike dhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Estonia i jep Kosovës dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.  Kryeministrja Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën tonë euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka folur edhe për takimet tjera që ka pasur atje.

Postimi i plotë:

Vizitën zyrtare në Estoni, e fillova me takimin me Kryeministren e Republikës së Estonisë, Kaja Kallas.

Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Estonia i jep Kosovës dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.  Kryeministrja Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën tonë euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.

Në drekën me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu, theksuam ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë. Falënderova ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme.

Në Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike (eGA) takova Drejtorin Ekzekutiv, Hannes Astok, e në e-Estonia Briefing Centre, u prita nga Menaxherja e përgjithshme, Ave Lauringson. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Akademinë Estoneze të E-Qeverisjes (eGA). Si rezultat, ekspertë nga Estonia po ndihmojnë Kosovën në hartimin e strategjisë së re për E-Qeverisje, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital.

Fushat e bashkëpunimit që forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin tema e takimeve të ndara në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Estonisë, Jüri Ratas dhe Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.

Avancimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks te qeverisja digjitale dhe qëndrimet e dy qeverive mbi zhvillimet dhe sigurinë në kontinentin e Evropës, ishin pjesë qendrore e diskutimeve në takimet që patëm bashkë me Zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadoren jo rezidente të Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltarin tim, Lulëzon Jagxhiu.

Related Articles